MENU
klinika

Trazirat në Kazakistan rrëzojnë bitcoin

‘Goditet’ ‘miniera’ e dytë më të madhe në botë

07.01.2022 - 13:55

Ndërkohë që Kazakistani është futur në kaos gjatë kësaj jave, mbyllja e internetit në vend goditi qendrën e dytë më të madhe të gjenerimit të bitcoin në botë. Analistët e cilësojnë një goditje të madhe për “minatorët” që kërkojnë një shtëpi të përhershme dhe të qëndrueshme. Më pak se një vit më parë, Kina ndaloi gjenerimin e kriptomonedhave dhe shumë prej “minatorëve” u zhvendosën në Kazakistan.

Por, disa muaj pasi këta kripto-emigrantë hapën qendrat e tyre, protestat për rritjen e çmimeve të karburanteve u zhnddërruan në trazirat më të këqija në disa dekada. Pasi shkarkoi qeverinë e tij dhe kërkoi ndihmën e Rusisë për të frenuar dhunën fatale, presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, urdhëroi ofruesin e shërbimit në vend të mbyllte internetin. Sipas vlerësimeve, ky vendim nxorri jashtë linje rreth 15% të gjenerimit të bitcoin në botë.

Pas këtij vendimin, bitcoin ra drejt 42,000 dollarëve, niveli më i ulët që nga shtatori i vitit të kaluar, ndërsa vetëm të enjten humbi 8% të vlerës. Gjithsesi, shërbimi i internetit u rikthye në vend, por i gjithë ky episod nxjerr në pah dy fakte domethënëse për gjendjen e industrisë së minierave të bitcoin në botë.

E para, rrjeti i bitcoin është elastik deri në momentin që nuk merr ndonjë goditje të tillë. Dhe e dyta, për shkak të sigurisë që ofron, Shtetet e Bashkuara mund të shohin një fluks të madh të minatorëve të kriptove, që kërkojë të shmangin probleme të tilla në të ardhmen. Sipas Qendrës së Kembrixhit për Financat Alternative, Kazakistani është pas Shteteve të Bashkuara, për sa i përket pjesës në tregun global të minierave të bitcoin, me 18.1% të të gjithë minierave të kriptove. SHBA qëndron në vendin e parë, pjesërisht sepse ka burimet më të lira të energjisë në planet, shumë prej të cilëve pritet të jenë të rinovueshme.