Teksa të gjithë ishin duke festuar ndërrimin e viteve, në selinë blu nisën punimet që ajo të kishte një “fytyrë” të re në Vitin e Ri. Ndryshimi dallohej qartë në pamjen e jashtme, por punimet nuk kishin përfunduar akoma.
Punonjësit e kompanisë që kishte marrë përsipër të rifreskonte në pamjen vizuale PD-në punuan edhe dje nga mëngjesi deri në darkë vonë. Xhamat e tejdukshëm të fasadës së godinës ishin veshur me letër adeziv, e cila pamundësonte shikimin nga jashtë-brenda, ndërsa letra mbante logon e Partisë Demokratike.
“Punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillim viti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë”, lajmëroi selia blu përmes një njoftimi për mediat. Ndërkohë që mësohet se të gjitha ambientet e brendshme të selisë po lyhen me bojë.
Sakaq, burime të gazetës “Panorama” që u futën në ambientet e selisë blu konfirmuan se në korridorin e godinës në katin e parë janë hequr disa foto të mëdha që ndodheshin në muret anësore në të djathtë dhe në të majtë të korridorit ku shfaqeshin momentet më të suksesshme të qeverisjes së Berishës, siç ishin inaugurime të ndryshme apo futja në NATO. Në vend të tyre, bëjnë me dije burimet, janë vendosur sloganet “zgjedhim të ardhmen” në formatet e ngjashme që u përdorën edhe në Kuvendin e 18 dhjetorit që u thirr nga Kryesia e PD-së. Ndërkohë, po sipas të njëjtave burime, mësohet se në ambientet e brendshme të selisë nuk janë instaluar dyer të blinduara apo hekura për të pamundësuar hyrjen.
BLLOKIMI
Megjithatë, fakt është që dera kryesore e selisë blu ishte e aksesueshme vetëm për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kreu i PD-së mbërriti dje në selinë blu pas mesdite, dhe pasi pa ndryshimet e reja në godinën që ende po punohet, u fut brenda përmes hyrjes kryesore. Këtë mundësi nuk e patën deputetët dhe punonjësit e administratës së PD-së që erdhën dje në selinë blu. I pari nga deputetët ishte sekretari i ri organizativ, Flamur Hoxha. Ai tentoi të hynte nga dera qendrore, por sensori që bën hapjen e saj ishte çaktivizuar.
Po kështu, edhe numri dy i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pasi zbriti nga automjeti që i është vendosur në dispozicion nga partia, u ngjit në shkallët që të çojnë në derën kryesore, por më pas ai mori drejtimin djathtas për të shkuar në hyrjen anësore të godinës së PD-së. Hyrje e cila përdoret më rrallë nga të zgjedhurit në radhët e Partisë Demokratike. Megjithatë, dje ishte rasti që edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së të ngjitej në zyrën e tij përmes asaj dere. Por, ndonëse punimet, siç thuhet edhe nga reagimi zyrtar i PD-së, bëheshin për të rifreskuar selinë blu, tensioni në punonjësit e administratës, të cilët kishin ardhur një ditë para se të fillonte puna zyrtarisht, nuk mungonte. Ndryshe nga herët e tjera, prania e medias nuk ishte komode për ta.