MENU
klinika

Analiza e Mustafa Nanos

Në Malin e Zi po ndeshet Lindja me Perëndimin

23.01.2022 - 14:42

Mali i Zi është në një krizë politike. Kryeministri malazez Zdravko Krivokapiq ka qenë gjithë kohën nën presionin e partisë pro serbe në koalicionin qeverisës për t’i zëvendësuar anëtarët teknokratë të qeverisë me ministra të zgjedhur prej partive të koalicionit, por ai u ka rezistuar këtyre thirrjeve e sulmeve deri më tani, dhe është kjo përplasje burimi “zyrtar” i krizës. Në të vërtetë, burimi real është përplasja mes forcave pro ruse e pro perëndimore në Malin e Zi.

Kjo krizë rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, nëse nuk arrihet një marrëveshje mbi një qeveri të minorancës. Qeveri e minorancës quhet ajo qeveri që nuk ka një shumicë të qartë në Parlament, por që arrin ta krijojë këtë shumicë sa herë që i duhet të kalojë në parlament ligje të rëndësishme. Nëse parlamenti nuk është në gjendje të kalojë ligje të tilla, atëherë qeveria e minorancës bie menjëherë me një votë mosbesimi. Dhe vendi kalon në zgjedhje të parakohshme.

Dritan Abazoviq, që është zv kryeministri i Malit të Zi, edhe pse përfaqëson një parti fare të vogël, po bën thirrje për ta krijuar këtë qeveri të minorancës, por pa partitë që formojnë maxhorancën e sotme dhe pa Partinë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviqit që është në opozitë. Abazoviqi pretendon se në mbështetje të idesë së qeverisë së pakicës mund të gjenden mbi 40 deputetë në parlamentin që ka vetëm 81 vende, por partnerët e tij të derisotëm e hedhin poshtë këtë ide si një tradhti që u bëhet zgjedhësve.


Në përbërje të kësaj shumice në parlament do të futeshin edhe parti të tjera të minoriteteve boshnjake e shqiptare, e në rrethanat që Abazoviqi do të zgjidhej kreu i kësaj qeverie, do t’i binte që praktikisht Mali i Zi do të qeverisej prej pakicave etnike, gjë që ka zemëruar një pjesë të madhe të malazezëve. Mbështetësit e partive pro serbe dolën dje në rrugët e Podgoricës për të protestuar kundër Abazoviqit. “Nuk duam të na komandojë një shqiptar” ishte një nga parrullat që u hodhën. Abazoviqi është shpallur tradhtar nga partitë që formojnë maxhorancën me emrin “Frontin Demokratik”. “Tradhtarin kërkojeni gjetkë” u ka thënë Abazoviqi protestuesve, me të cilët është dashur të përballet sy më sy.

Duket se Abazoviqi ka edhe mbështetjen e amerikanëve, të cilët janë të shqetësuar prej orientimit pro rus të maxhorancës së derisotme, të kryesuar nga partia pro serbe “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, që ka mbjellë në shoqërinë malazeze një frymë anti BE e anti NATO. Escobar (është i njëjti Escobar që herë pas here përpiqet të mbajë nën kontroll zhvillimet shqiptare) tha së fundmi se “ne e kemi bërë të qartë se duam një Mal të Zi perëndimor, pro NATO-s e pro idesë së integrimit në BE”.

Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”