Home » Aktualitet » Nga hapja për të rinjtë te ndryshimet e propozuara për statutin, PS mbledh Kongresin më 29 janar
Vendimet e kryesisë
Nga hapja për të rinjtë te ndryshimet e propozuara për statutin, PS mbledh Kongresin më 29 janar
12.01.2022 - 13:10
Partia Socialiste do të mbledhë Kongresin e saj në fund të janarit për t’i dhënë një start të ri aktivitetit të saj politik. Vendimi u mor dje në mbledhjen e Kryesisë, të drejtuar nga Kryeministri Rama, ndërsa u prezantua edhe drafti me propozimet e reja në Statutin e PS-së.
Sekretari i përgjithshëm, në 100 ditët e para në këtë detyrë kishte premtuar se do të sillte një draft më të thjeshtë dhe më funksional të Statutit. Propozimi i ri ka të bëjë me një strukturë të re organizative në çdo degë socialiste në nivel bashkie. Qëllimi i këtij propozimi, mesa duket, ka të bëjë me riorganizimin e plotë të makinerisë elektorale të PS-së në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe parlamentare. Gjiknuri ka propozuar ngritjen e sekretariatit ekzekutiv në nivel bashkie, një forum i barasvlershëm me sekretariatin qendror, por që do të ketë detyra të ndara organizative me kryetarin e degës apo strukturat e tjera në këtë parti.
Pas diskutimeve të zhvilluara nga anëtarët e Kryesisë dhe propozimeve përkatëse, grupi i posaçëm i punës për Statutin do të vazhdojë diskutimin në ditët e ardhshme për të hartuar dokumentin përfundimtar, i cili do t’u paraqitet për miratim delegatëve të Kongresit. Gjatë punimeve të Kongresit, paralelisht do të organizohet votëbesimi nga Asambleja Kombëtare për sekretariatin ekzekutiv të partisë. Në Kryesi u diskutua gjithashtu për aktivitetin që do të zhvillohet në 15 janar, në kuadër të 30-vjetorit të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar.