Që nga 9 marsi i 2020-ës, kur laboratorët e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik identifikuan dy rastet e para e COVID-19 e deri më sot, e marta shënoi ditën me më shumë infektime.
Mbi tetë mijë tamponë të kryer në të gjithë vendin kanë konfirmuan plot 2832 të infektuar, situatë kjo që i atribuohet variantit “Omicron”, lehtësisht i përhapshëm dhe me më pak pasoja se variantet e mëparshme.
Pavarësisht lajmeve shpresëdhënëse, se jemi shumë afër dritës në fund të tunelit, kreu i OBSH-së deklaroi dje të kundërtën. Pandemia duket larg me mutacionet që mund të pësojë COVID-19 me kalimin e kohës.
“Kjo pandemi është larg përfundimit. Ka gjasa të dalin variante të reja, prandaj gjurmimi mbetet kritik”, nënvizoi Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke apeluar shtetet që të mos humbin vigjilencën.
“Duke thënë që ‘Omicron’- i është i butë, gabojmë dhe dëmtojmë kundërpërgjigjen që duhet të japim, duke shkaktuar edhe vdekje. Mos u gaboni, ‘Omicron’-i po shkakton shtrime në spital. Për shumë shtete, javët e ardhshme mbeten kritike për sistemet e tyre shëndetësore”.
SITUATA
Pavarësisht shifrave të frikshme me të cilat rritet çdo ditë COVID-19, spitalet nuk janë të mbingarkuara tej kapaciteteve, sipas raportimeve zyrtare, ndërsa fatalitetet janë me numra njëshifrorë.
“Aktualisht, në spitalet COVID po marrin trajtim 130 pacientë, nga të cilët 14 janë në gjendje më të rënduar. Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor ka gjashtë humbje jete me SARS-COV2 pozitiv: Dy qytetarë nga Tirana 59 dhe 90 vjeç, një qytetar 69 vjeç nga Konispoli, një qytetare nga Burreli 71 vjeçe, një qytetar nga Rrogozhina 75 vjeç, një qytetar nga Tepelena 81 vjeç”, nënvizohet në buletinin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkohë, ministrja Ogerta Manastirliu nga qendra shëndetësore në Borizanë konfirmoi prezencën e lartë të “Omicron”-it, por edhe raste me “Delta” që kanë mbërthyer keq vendin.
“Është vënë re qe ka një përqindje të lartë të qarkullimit ‘Omicron’-it dhe nga informacionet që vijnë nga ISHP-ja ka një përqindje të theksuar të qarkullimit të ‘Omicron’-it kundrejt variantit ‘Delta’ që ka qenë më parë. Kjo do të thotë që duhet të jemi të kujdesshëm, sepse rritja e numrit të infektimeve sigurisht shkakton edhe rritje të numrit të personave të cilët mund të shtrohen në spitale”.
Teksa konfirmohen qindra mijëra raste çdo ditë, po aq “çlirohen” nga virusi, duke fituar kështu imunitet natyral.
“Janë shëruar 1,732 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 211,187 që nga fillimi i epidemisë”.
Sipas shifrave të MSH-së, në vend janë 22 mijë raste aktive, gjysma e të cilave ndodhet në Tiranë.
“As doza e katërt nuk mbron”
As doza e katërt nuk e ndalon dot infektimin me variantin “Omicron”. Një studim në Izrael tregoi se doza e dytë përforcuese rrit ndjeshëm nivelet e antitrupave, por jo mjaftueshëm për të parandaluar infektimin me variantin më ngjitës.
Qendra mjekësore “Sheba” në Izrael, u dha një dozë të katërt të vaksinës “Pfizer” 154 pjesëtarëve të stafit, ndërsa për 120 të tjerë aplikoi atë të “Moderna”-s. Ata u krahasuan me grupin që nuk mori një dozë të dytë përforcuese.
Por, edhe pse u vërejt një rritje e konsiderueshme e antitrupave, madje edhe më shumë se pas dozës së tretë, efektshmëria për mbrojtjen nga infektimi mbeti e njëjtë.
Zbulimet e studimit, që sipas spitalit janë të parat e këtij lloji në botë, janë paraprake dhe nuk janë publikuar ende. Izraeli është vendi me fushatën më të shpejtë të vaksinimit kundër COVID19 dhe muajin e kaluar nisi të ofrojë dozën e katërt për grupet më të rrezikuara nga virusi.