MENU
klinika

U plagos në Shkodër!

Piroli: Shkova në spitalin e Lezhës, aty ndihesha më i sigurt

04.01.2022 - 11:48

Vincens Piroli, 34-vjeçari që mbeti i plagosur ditën e djeshme në Shkodër, ka dhënë dëshminë e tij përballë grupit hetimor. Teksa ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë, Piroli ka rrëfyer se pas plagosjes zgjodhi të shkonte në spitalin e Lezhës pasi kishte më shumë siguri.

‘Shkova në spitalin e Lezhës pasi aty ndihesha më i sigurt’- tha Piroli.

I riu mësohet se ka marrë 3 plumba që e prekën në shpatull dhe në brinjë. Pas plagosjes ai ka marrë në telefon një familjarin e tij, i cili e ka dërguar në spitalin e Lezhës, edhe pse plagosja ka ndodhur në Shkodër. Pasi mbërriti në spitalin e Lezhës, i riu u dërgua te Trauma në Tiranë aty ku ndodhet jashtë rreziku për jetën.

34-vjeçari Vinçens Piroli mbeti i plagosur me armë zjarri në Shkodër pasditen e djeshme, rreth orës 19:00. I riu po ecte në këmbë tek Ura e Bunës, kur u plagos me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. I riu u la në spitalin e Lezhës nga kushëriri i tij, i cili më pas është larguar nga oborri i spitalit pa pritur efektivët e Policisë për të dhënë dëshminë e tij.

Ndaj Pirolit është lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar në tetor të 2021, pasi akuzohej se bashkë me Dorian Lalën kishin vrarë për hakmarrje malazezin, Momçillo Gjurishiç. Ky i fundit u qëllua në Ulqin në lokalin e tij më 4 korrik të 2021, ndërsa pista kryesore është ajo e gjakmarrjes, e cila lidhet me një vrasje në 2017, e cila rëndon mbi djalin e 68-vjeçarit që u dyshohet se u vra nga dy shqiptarët. Savo Gjurishiç kishte vrarë me armë zjarri 53-vjeçarin nga Kosova Beqë Likaj, 53 vjeç, për të cilën është dënuar në 2018 me 13 vjet e gjysmë burg.