Përdorja nga Sali Berishës i argumentit se rimarrja e PD-së prej tij garanton pluralizmin, e Basha po e mbyt atë, ka sens pasi përbën retorikën e tij për të mbështetur aksionet e tij në përmbushjen e objektivave.
Por shtrimi i kësaj teze dhe krijimi i një “aksiome” në opinionin publik prej mbështetësve të tij është e pakta “dembelizëm intelektual” dhe një absurd logjik.
Skena politika shqiptare e polarizuar nga dy tre dinosaur politikë është natyrisht një regres, sidomos kur shohim zhvillimet rajonale, e së paku në Kosovë, ku kemi parë rinovimin total të klasës politike, çka i ka dhënë procesit dhe skenës një frymëmarrje dhe një freski e madhe.
Por që të ndodhë edhe tek ne ky fenomen, duhet patjetër që të ndodhin procese politike evolucionare, të cilat krijojnë hapësira të reja. Në rastin e hapësirës së opozitës shqiptare, e cila humbi pushtetin në vitin 2013, ajo ka pasur të gjitha mundësitë që të lejonte një proces evolutiv nëpërmjet hapjes dhe afrimit të njerëzve dhe grupeve të reja, natyrisht duke mos larguar me forcë politikanët e vjetër, por duke i përballur me një process normal selektimi nëpërmjet votës.
Të gjithë këto duken retorika, por vendet normale me demokraci funksionale janë pjesë e sistemit që tashmë funksionon herë mirë e herë jo mirë, por megjithatë është kthyer në një rutinë, e cila nuk ndërpritet as nga dhuna e as nga veprimet arbitrare.
Edhe kur ndodh kjo, ka mekanizma e institucione që nuk bëjnë të mundur ndodhjen e këtyre fenomeneve.
Amerika, shteti më i fuqishëm i botës, që konsiderohet si modeli i demokracisë funksionale, u përball në janarin e vitit të shkuar me një situatë të ngjashme me atë që pamë në selinë e PD-së më 8 janar.
Madje edhe më të rëndë, pasi u sulmua institucioni simbol i vendit: Kongresi Amerikan.
E siç dihet institucionet reaguan fort e ashpër, duke ndëshkuar si autorët por edhe organizatorët, të cilët janë në procese gjyqësore që ende vijojnë.
Askush në SHBA nuk tha se po pengohet demokracia e po bllokohet pluralizmi, pasi po ndëshkohet alternativa e demokratëve që morën Presidencën e SHBA-së.
Pluralizmin nuk e ka monopol asnjë person apo grup politik, aq më pak Sali Berisha, i cili si udhëhqës politik ka rekorde të forta që e ka dëmtuar pluralizmin, si brenda partisë së tij, ashtu edhe më gjerë.
I ka dhunuar kundërshtarët, kërcënuar, burgosur, si mjet politik, ç’ka ka sjellë pikërisht vendosjen si rregull që nëse diçka nuk shkon, atëherë përdoret dhuna e forca.
Ka mbështetës mediatikë të Berishës që në 2019-n përkrahën rrëzimin e dhunshëm të Edi Ramës, duke bllokuar sistemin nëpërmjet bojkotit dhe forcës, të cilët edhe tani ishin pro përdorimit të dhunës në selinë e PD-së.
Fatos Lubonja, përsërit për 30 vjet të njëjtën aksiomë se “meqë ka një bandë, më mirë të ketë sa më shumë banda garantohet pluralizmi”.
Ky nuk është tjetër veçse pluralizmi i bandave, e jo pluralizmi politik. Madje largimi jo vetëm i Sali Berishës, por gjithë elitës së vjetër në vend krijon hapësira më të mëdha për të dalë aktorë e faktorë të rinj.
Të cilët natyrisht nuk dalin as nga vareja e as nga qysqija, por nëpërmjet procesit politik që e sjell terreni që frymon më shumë liri e hapësirë politike.