Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi të martën konfirmimin në detyrë të prokurorit të Durrësit, Drini Pali.
Kryesuesja e trupës gjykuese, Etleda Çiftja tha se vendimi u morr me shumicë votash.
Gjatë seancës dëgjimore të premten më 14 janar, prokurori Pali dha shpjegime për dy apartamente që bashkëshortja ka marrë nga prindërit e saj, pasuri për të cilat përfituesja kishte nënshkruar më parë kontratë shitblerje me të atin për vlerën totale 6.6 milionë lekë.
Po ashtu, Pali dha shpjegime edhe për katër denoncime dhe një informacion konfidencial që KPK kishte marrë po për kriterin profesional.
Prokurori këmbënguli se dy apartamentet, për të cilat mes bashkëshortes së tij dhe prindërve të saj ishin nënshkruar kontrata shitblerje, ishin dhurata.
Ai kundërshtoi gjetjet në kriterin e profesionalizmit dhe pretendoi se vonesat në hetim vinin nga kompleksiteti i çështjeve dhe ngarkesa në punë.
Drini Pali përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe punon prej gati dy dekadash si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Durrës.