Një bankë tjetër në Britani po përgatitet të përballet me akuzat e dështimeve të saj të njëpasnjëshme për të frenuar fluksin e parave të pista. Javët e ardhshme, NatWest, një nga huadhënësit më të mëdhenj në Britaninë e Madhe, do të të paraqitet në një gjykatë në Londër, për t’iu përgjigjur akuzave se pse nuk arriti të shqyrtojë siç duhet një klient të tregtisë së arit që depozitoi në këtë bankë 365 milion paund (502 milion dollarë) në bankë, 264 milion nga të cilët në para të gatshme.
NatWest, që cila ka thënë se po bashkëpunon me hetimin, është e fundit në një radhë të gjatë bankash që akuzohen se nuk po arrijnë të kenë sukses në luftën kundër parave të pista. Vitin e kaluar, bankat në mbarë botën u gjobitën me 10.4 miliardë dollarë në total për shkelje të ligjeve kundër pastrimit të parave, pra me një rritje prej më shumë se 80 për qind në krahasim me vitin 2019.
Në janar të këtij viti banka amerikane “Capital One”, u gjobit me 390 milion dollarë për mos-raportimin e mijëra transaksioneve të dyshimta. “Danske Bank” po përballet ende me pasojat e një skandali që shpërtheu në vitin 2018.
Mbi 200 miliardë dollarë para potencialisht të pista, u pastruan përmes degës së vogël estoneze të bankës së madhe daneze, ndërsa drejtuesit e saj injoruan disa paralajmërime. Këto raste tregojnë se bankat mbeten ‘Thembra e Akilit” në luftën globale kundër pastrimit të parave, pavarësisht rregulloreve të rishikuara që synojnë t’i shndërrojnë ato në ushtarë të vijës së parë në atë konflikt.
Gjithsesi, një analizë me e afërt sugjeron që sistemi global kundër pastrimit të parave (AML) ka të meta serioze strukturore, kryesisht për shkak se qeveritë i kanë dhënë sektorit privat pjesën më të madhe të kompetencave që duhet t’i kishin zbatuar vetë.
Një studim i botuar vitin e kaluar nga Ronald Pol, një ekspert i krimit financiar, arriti në përfundimin se sistemi global AML mund të jetë “eksperimenti më pak efektiv i politikës në botë”, dhe se kostot për bankat dhe bizneset e tjera mund të jenë më shumë se 100 herë më të larta se sasia e parave të pista të sekuestruara.
Në fakt, deri në vitet 1980 pastrimi i parave nuk ishte ende një krim në të gjithë botën. Që nga ajo kohë, vendet nga Afganistani në Zambia janë detyruar, sidomos nga SHBA-ja të miratojnë ligje kundër këtij aktiviteti.
Kjo përpjekje u intensifikua pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe miratimit të Aktit Patriot të Amerikës, që synonte të gjurmonte origjinën e parave të atyre që financonin terroristët dhe kriminelët e tjerë.
Sot nuk është e pazakontë që banka të njohura si “HSBC” ose “JPMorgan Chase” të kenë të punësuar 3.000-5.000 specialistë të përqendruar në luftimin e krimit financiar, dhe më shumë se 20.000 të tjerë mbi analizën e rrezikut dhe pajtueshmërisë së transaksioneve në përputhje me rregullat e vendosura.
Sistemi AML ka arritur që të reduktojë ndjeshëm praktikat më të dëmshme, siç janë bankat-guackë (ato pa klientë të vërtetë) në ishujt e vegjël që përdoren për të pastruar valixhet e mbushura me paratë e drogës.
Por kriminelët nuk janë detyruar të bëhen shumë kreativë. Sot nuk është shumë më e vështirë sesa 20 vjet më parë të pastrosh para të pista duke krijuar një kompani guackë, duke i maskuar flukset e parave që rrjedhin nëpër të si të ardhura të ligjshme, dhe duke bindur një bankë me reputacion për t’i pranuar ato.
Për pasojë, të dhënat tregojnë se kjo është një luftë që po humbet. “Vlerësimi Global i Kërcënimeve”, një raport nga John Cusack, ish-drejtues i “Wolfsberg Group”, një shoqatë bankash që ndihmon në zhvillimin e standardeve të pajtueshmërisë, vlerëson se vetëm në vitin 2018 ishte kryer një krim financiar me vlerë 5.8 trilionë dollarë, ose i barazvlefshëm me 6.7 për qind të PBB-së globale.
Statistikat mbi numrin e rasteve të përgjuara nga autoritetet janë të pakta. Një vlerësim i para 10 viteve nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, flist për vetëm 0.2 për qind të transfertave në total. Në vitin 2016, Europol vlerësoi se niveli i konfiskimit të parave të pista në Evropë ishte disi më i lartë, por gjithsesi i dobët, vetëm 1.1 për qind.
Disa ekspertë mendojnë se niveli i suksesit në këtë fushë, mund të ketë rënë vitet e fundit, pjesërisht për shkak të rritjes së “pastrimit të parave të bazuara në sektorin e tregtisë”, ku para futen në ekonominë e ligjshme përmes disa hileve me dokumentet e tregtisë ndërkombëtare.
Ndërkohë, pandemia e Covid-19, ka shtuar mundësitë në këtë drejtim. Kriminelët kanë ngritur kompani guacka për të shfrytëzuar skemat e mëdha të ndihmës qeveritare që janë shumë pak të mbikëqyrura. Në Britani, autoritetet kanë marrë më shumë se 50.000 raporte të keqpërdorimit të mundshëm të skemave të saj të rimbursimit të taksave.
Task-forca e Veprimit Financiar (FATF), është organizata ndër-qeveritare që monitoroj zbatimin e sistemit global AML. Disa vende kanë arritur të kenë vlerësime të mëdha në këtë luftë. Ndërkohë një nga shkelësit më të zakonshëm të rregullores janë Emiratet e Bashkuara Arabe, ku zbatimi i dobët i tyre e ka ndihmuar Dubain të shndërrohet në një strehë të parave të pista.
Përpjekjet globale kundër pastrimit të parave, janë zbehur ndjeshëm gjatë 5 viteve të fundit, thotë Robert Barrington, profesor i praktikës anti-korrupsion në Universitetin Sussex në Britani. Në viti 2016, kryeministri i atëhershëm i Britanisë, David Cameron, organizoi një samit global anti-korrupsion, ku qeveritë ranë dakord ta mbështesin këtë kauzë. Por ai samit provoi të ishte një iluzion. Britania u shpërqendrua nga Brexit.
Ndërkohë në SHBA, presidenti Donald Trump shfaqi një udhëheqje të dobët mbi këtë çështje. Nga ana tjetër,Rusia dhe Kina kanë bllokuar përpjekjet për të bashkërenduar përpjekjet globale anti-korrupsion.
Tre probleme më të mëdha që e pengojnë luftën kundër krimit financiar janë mungesa e transparencës; mungesa e bashkëpunimit; dhe mungesa e burimeve. Së pari është transparenca. Hetuesit mund të përpiqen të identifikojnë pronarët e vërtetë, “përfitues”, të kompanive guackë, të cilët shpesh fshihen pas të emëruarve zyrtarë.
Ka një farë progresi në këtë drejtim. Britania hartoi një regjistër publik të pronarëve të këtyre kompanive në vitin 2016, duke nxitur vendet e tjera të ndjekin këtë shembull. Ndërkohë në fund të vitit të kaluar, ligjvënësit amerikanë miratuan një ligj që kërkon të dhënat e pronësisë mbi kompanitë e regjistruara në nivelin shtetëror.
Sidoqoftë, shumë vende u shmangen krijimit të regjistrave të tilla, dhe ato që i kanë tashmë janë përballur me shumë probleme. Problemi i dytë, mungesa e bashkëpunimit, pengon punën e qeverive me njëri-tjetrin dhe me bankat në vijën e parë. Skemat e mëdha të pastrimit të parave janë të sofistikuara dhe transnacionale, ndërsa përpjekjet kundër pastrimit të parave mbeten të fragmentuara”.
Vështirësia e tretë, mungesa e burimeve, buron nga fakti se krimi i “jakave të bardh” është më pak i dukshëm sesa krimi i dhunshëm. Në Britani, mashtrimi përbën më shumë se 1/3 e krimeve të raportuara, e megjithatë policia angazhon më pak se 1 për qind të burimeve të saj në këtë drejtim./ The Economist