MENU
klinika

Kanabisi drejt legalizimit?!

Qeveria fton në “referendum” qytetarët shqiptarë

19.01.2022 - 12:50

Qeveria kërkon mendimin e qytetarëve për legalizimin e kanabisit mjekësor. Përmes një referendumi kombëtar, të shprehur në platformën Këshillimi Kombëtar, qytetarët pyeten nëse janë dakord për të legalizuar kanabisin, propozim i hedhur poshtë ky nga Rama gjatë mandatit të parë.

“Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?”, thuhet në pyetësorin e qeverisë të bërë dje publik. Kur ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima, miku më i afërt i Kryeministrit Rama, hodhi idenë e legalizimit të kanabisit në vitin 2014, pati një valë të fortë kundërshtimi.

Pasi e la debatin që të ndizej për muaj të tërë, Kryeministri u shpreh në atë kohë se Shqipëria nuk ishte gati për legalizimin e kanabisit. Rama tha në një nga deklaratat e tij se “Shqipëria nuk i ka kushtet për të shkuar përpara në këtë drejtim dhe se legalizimi i kanabisit mund të shërbente vetëm për të qetësuar Berishën në shfaqje si ajo e së enjtes në parlament”.

Për disa vite, debati për legalizimin e kanabisit u shua, ndërsa Kryeministri nuk tentoi më ta risillte në skenë. Por, gjatë vitit 2020 dhe 2021, kreu i qeverisë foli për ekspertizë ndërkombëtare, me të cilën po konsultohej për legalizimin e kanabisit.

“Do jetë gati kur të jetë gati dhe është e lidhur me konsultime dhe ekspertizë ndërkombëtare. Këtu jam edhe 5 vite. Do ta shohim në vitin 2025-2029”, u shpreh Rama pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Ndërsa në konferencën e fundvitit me mediat, kreu i qeverisë ishte i qartë pasi e kishte përfshirë në programin e tij ekonomik kultivimin e kontrolluar të kanabisit në Shqipëri.

“Kultivimi dhe përpunimi i monitoruar kanabisit për qëllime mjekësore, është sot një instrument që shumë vende e përdorin. Sot ka ende njerëz që thonë ende nuk është koha për të hyrë në këtë proces, e kam kundërshtuar edhe unë. Por nuk mund të presim më. Është një vendimmarrje që na duhet të kapërcejmë përtej kartonit, duhet të marrim opinion të shqiptarëve”, tha Rama.

PYETËSORI

Qeveria ka bërë publik pyetësorin që u drejtohet të gjithë shqiptarëve mbi 18 vjeç, nga të cilët kërkohet mendim për çështjet e mëdha që lidhen me të ardhmen e vendit. Bëhet fjalë për 12 pyetje drejtuar shqiptarëve në kuadër të nismës së lançuar nga Kryeministri Edi Rama pak ditë para vitit të ri mbi çështje të një rëndësie të madhe dhe të diskutuara nga të gjithë.

Çështjet, për të cilat kërkohet mendim nga qytetarët, kanë lidhje me ekonominë, punësimin, integrimin, familjen. Po kështu, ka pyetje edhe mbi vaksinimin e detyrueshëm apo certifikatën e vaksinimit dhe bërjen e saj të detyrueshme në disa shërbime.

Një tjetër pyetje me interes është nëse Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimin e autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit si dhe a duhet dyfishuar dënimin për ta dhe duke hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve. Qeveria kërkon mendim nga qytertarët dhe për pagat fiktive të kompanive.

“Ka njerëz që thonë se të punësuarit që denoncojnë metoda të pagave fiktive nga punëdhënësi, duhet të mbrohen nga shteti me dëmshpërblim financiar në rast largimi të padrejtë nga puna kur denoncimi i tyre vërtetohet, ndërsa punëdhënësi në fjalë duhet penalizuar me ashpërsim të masave në fuqi. Të tjerë thonë që masat në fuqi ndaj punëdhënësve që abuzojnë me pagat e punonjësve janë të mjaftueshme. Si mendoni ju?”, thuhet në pyetësor.

Qeveria kërkon mendim dhe për amnistinë financiare të emigratëve shqiptarë, një ide e lënë në harresë nga maxhoranca dhe pse ishte premtuar amnisti financiare dhe penale.

“Ka njerëz që thonë se emigrantëve shqiptarë që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre duhet t’u jepet amnisti e plotë. Të tjerë thonë se depozitimet në vendin tonë të kursimeve të punës në emigracion nuk duhen inkurajuar përmes amnistisë. Si mendoni ju?”, thuhet në pyetësor.

Por qeveria pyet qytetarët se çfarë mendojnë për pasaportën e vaksinimit dhe cila duhet të sjellja e atyre që janë vaksinuar.

“Ka njerëz që thonë se ashtu si vendet e tjera të Europës, Shqipëria duhet të vendosë detyrimin që qytetarët të paraqesin certifikatën e vaksinimit në të gjitha hapësirat publike të mbyllura dhe në tubimet e mëdha. Të tjerë thonë se kjo praktikë nuk duhet të jetë e detyrueshme pasi kufizon liritë dhe të drejtat e njeriut. Si mendoni ju?”, thuhet në pyetësor.

Koço Kokëdhima propozoi në 2014 legalizimin e kanabisit

Ish-deputeti socialist i qarkut të Fierit, Koço Kokëdhima, ishte i pari që propozoi legalizimin e kanabisit, propozim që u kundërshtua me forcë.

“Jam kundër zhvillimit të një ekonomie kriminale dhe të një ekonomie informale. Ajo që bëri qeveria jonë, praktikisht zhduku këtë ekonomi informale dhe krijoi hapësirën dhe kushtet për të zhvilluar një ekonomi tjetër, një ekonomi formale. Propozimi i parë që unë kam bërë për t’u debatuar në opinionin publik është që Shqipëria duhet që si në çdo vend të botës t’u japë liri qytetarëve të saj për të përdorur kanabisin dhe të gjitha ilaçet që burojnë prej tij. Të kemi një legalizim të kanabisit farmaceutik, të kanabisit terapeutik, për trajtimin e 170 sëmundjeve, që sot trajtohen me efektivitet nga ilaçet me bazë kanabisin.

E ka e gjithë bota e qytetëruar këtë liri, e ka kanabisin farmaceutik legal. Ky është propozimi im i parë që kam bërë. Në Shqipëri ka 50 mijë pacientë, të cilët kanë nevojë jetike për të përdorur ilaçet me bazë kanabisin. Nuk kemi asnjë të drejtë që t’ua mohojmë qytetarëve tanë këtë mundësi, që e kanë të gjithë qytetarët e botës. Propozimi im i dytë është që Shqipëria të kultivojë kanabis për eksport, për shkak se industria e kanabisit farmaceutik në botë është një industri shumëmiliardëshe dhe vendi ynë ka mundësi të përfitojë nga kjo industri”, propozoi Kokëdhima në atë kohë.