MENU
klinika

Nga Mustafa Nano

Rama, ndërhyni urgjentisht në mbrojtje të Islamit tonë të traditës…

19.01.2022 - 11:17

Mbi orientimin e rreshtimin politik të opinionistëve shqiptarë që flasin çdo ditë nga studiot e televizioneve në prime time ne dimë më pak sesa për lidhjet me shtete të huaja që kanë një numër besimtarësh myslimanë, që janë edhe figura publike, përfshirë këtu klerikë, gazetarë, intelektualë publikë. Ju duket teprim kjo që thashë? Mua, jo. Unë nuk i di lidhjet politike të kolegëve të mij, por lidhjet e eksponentëve të komunitetit mysliman i di të gjitha një e nga një. Dihet shumë mirë se kush përkrah Gylenin, kush është me Erdoganin, kush ka lidhje më të largëta në botën arabe e kush ka lidhje edhe më të largëta në Lindje. Në bashkësinë e myslimanëve shqiptarë gjenden të gjithë flamuj e rrymat e mundshme të Islamit në botë, dhe konfliktet mes tyre janë në të vërtetë konflikte të importuara nga jashtë, siç është fjala vjen konflikti mes Erdoganit e Gylenit.

Këtu ka ndikuar puna e madhe që bëjnë në Shqipëri përfaqësuesit e rrymave të ndryshme të Islamit, por edhe të shteteve të ndryshme myslimane. Kanë ndikuar gjithashtu edhe imamët, të cilët kthehen nga jashtë jo vetëm me edukimin fetar, por edhe me lidhje të konsoliduara emocionale e materiale me shtetin, ku ata janë edukuar. Kjo është arsyeja që imamët e myftinjtë shqiptarë s’e kanë për gjë të përkujtojnë publikisht e me nderim sulltanë të ndryshëm. Më poshtë keni një reagim timin që e kam bërë, kur Muhamet Sytari përkujtoi datëlindjen e datë vdekjen e Mehmetit II, sulltanit të famshëm.

Ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e në Kosovë ky fragmentarizim brenda botës myslimane është edhe më i theksuar. Mes një pjese të konsiderueshme të tyre, identiteti nacional shqiptar është më i parëndësishmi. Ata hahen me sho-shoqin në mbrojtje të interesave të vendeve të tjera, dhe askush ndër ta nuk gjendet që ta denoncojë këtë situatë. Unë nuk njoh asnjë intelektual mysliman shqiptar që ta ketë denoncuar këtë situatë. Dhe të mendosh që janë po këta që nuk lënë argument pa trajtuar në debatin publik shqiptar.

Kjo gjë u vu re në mënyrën më të qartë të mundshme ditën që Shqipërinë e vizitoi Erdogani. Nëpër studiot e televizioneve u duk veç ndonjë erdoganist, dhe e mbrojti “nderin” e Erdoganit me një zell, të cilin nuk e shtie kurrë në punë kur vjen hera të mbrojë nderin e kombit të vet. Ndërsa të tjerët nuk patën guximin të flisnin. Krerët e komunitetit mysliman u sollën sikur të mos ekzistonin. Edhe autoritetet, përfshirë edhe kryeministri Rama, sidomos kryeministri Rama, u soll me ta sikur të mos ishin të gjallë në këtë botë. Nuk ishte asnjëri syresh i pranishëm në përurimin që iu bë xhamisë së restauruar të Et’hem Beut. Dhe kjo është krejt absurde. Kjo është sikur dikush të marrë përsipër të rinovojë shtëpinë time, dhe në përfundim të punimeve të organizojë në shtëpinë time një festë, ku t’i mbledhë të gjithë, me kuç e me maç, përveç meje.

Përsëris: Kjo është një gjendje dramatike e komuniteit mysliman shqiptar. Dhe shpëtimi nuk duhet pritur nga myslimanët, pasi këta janë nën hyqmin e ca njerëzve që e kanë shitur prapanicën. Shpëtimi duhet të vijë nga qeveria. Kryeministri Rama nuk ka dhënë shenja se shqetësohet nga kjo situatë, ky myslimanët, në radhë të parë krerët e tyre, i shërbejnë çdo lloj shejtani matanë kufijve tanë, por jo interesit kombëtar shqiptar. Ai duhet ta trajtojë me seriozitet këtë çështje menjëherë, këtu, tani. Nuk ka kohë. Nesër do jetë vonë. Duhet bërë një ndërhyrje e fortë që të synojë mbi të gjitha e së pari shkurajimin e frenimin e këtyre ndikimeve të huaja. Ne nuk kemi ç’mësojmë nga të huajt për Islamin. Islami për ne nuk është si demokracia, një gjë e re, me të cilën nuk jemi familjarë, e të cilën mund e duhet ta mësojmë nga të tjerët. Përsa i takon Islamit, nuk kemi ç’mësojmë nga të tjerët. Ne kemi Islamin tonë, që ekziston prej pesë shekujsh këtyre anëve. Dhe janë pikërisht këta pesë shekuj që përbëjnë një traditë tonën në këtë drejtim.

Dhe këtë traditë duhet ta ruajmë. Duhet ta mbrojmë. Ne kemi ç’të mësojmë nga bota gjithçka, por jo Islamin. Sepse kemi Islamin e Hafiz Ali Korçës, Haxhi Vehbi Dibrës, Ismail Maçit, Hafiz Ismet Dibrës, Ferid Vokopolës, Hafiz Esad Myftisë, etj. Këta e të tjerë nuk kanë qenë yje të rënë nga qielli, përkundrazi, mund të jepnin edhe më shumë në lëmin e shtetformimit e të krijimit të një kulture kombëtare, por pa këta nuk do të kishim Islamin tonë të traditës, me ato tipare të bukura që ai i ka, si toleranca, laicizmi, patriotizmi, e tërheqja gjenuine prej qytetërimit perëndimor. Pasi lexon Zanin e Naltë të para Luftës II, që ziente e vibronte prej një patriotizmi të sinqertë, soji i sotëm i shkarrashkruesve myslimanë të ngjan me një soj të zvetënuar e të bastarduar. Islami i Zanit të Naltë është Islami që na duhet.