MENU
klinika

Mustafa Nano

Rama po i trajton demokratët si lecka

10.01.2022 - 11:54

Nga Mustafa Nano

Edi Rama organizoi një komunikim live me demokratët, dhe u kërkoi atyre “të bëhen me të”!!! Unë fillimisht nuk u besova veshëve, dhe m’u desh një copë herë të bindesha se lajmi ishte i vërtetë. Sepse m’u duk një gjest krejt i pagjetur e i pavend.

Shoqëria shqiptare është duke vajtuar prag-vdekjen e opozitës, dhe po pret që demokratët, dikush a disa prej tyre, të bëhen të gjallë për t’i dalë zot asaj partie, dhe ja, na del kryeministri, na “i mbledh” demokratët, dhe u bën thirrje t’i bashkohen atij.

Çfarë ndërhyrje furacake, paternaliste, burracake e provokative! Kryeministri m’u duk si një shpend grabitqar që i vërsulet një preje të kollajtë.

Pastaj, është edhe diçka tjetër. Rreshtimi politik është një gjë me vlerë në këtë botë, që ka të bëjë me emocionet, familjet, traditën, vizionin tonë mbi botën, interesin apo ku di unë çfarë tjetër.

Identiteti politik është një element shumë i rëndësishëm i identitetit tonë në përgjithësi. Si u konvertuaka robi, fap, si me magji?

Si u shndërruaka njeriu kështu, sa hap e mbyll sytë, nga demokrat në socialist? Kësaj i thonë t’i trajtosh njerëzit si lecka, që munden me ra fare pa të keq në duart e kujtdo.

Për të gjithë ata që në “komunikimin e kryeministrit me demokratët” nuk kanë parë ndonjë gjë të keqe: “Është vetë ‘komunikimi i kryeministrit me demokratët’ që është absurd”.

Për çfarë e bëri këtë komunikim? Për t’i ngushëlluar? Për t’u thënë “të rroni vetë”? Jo, e bëri për t’u thënë: “bëjini naftën opozitës, nuk ka kuptim të rrini me atë farë opozite, shfrytëzojeni këtë rast e bëhuni me mua, etj., etj.”. Ky ishte mesazhi më i gabuar në këtë moment.

Dhe është e gjitha një qasje paternaliste që buron prej të vetëndjerit e tij si baba i kombit, e ndoshta-ndoshta (thellë-thellë) edhe prej të konceptuarit të opozitës si një “pain in the butt”.

Përsëris: Unë e gjeta shumë të gabuar “këtë komunikim të kryeministrit me demokratët”.