MENU
klinika

The Economist

Sa pritet të zgjasë “boom-i” i rritjes së çmimit të shtëpive?

06.01.2022 - 14:30

Qyteti më i madh i Nova Scotia është i njohur për disa gjëra: për konferencat e mëdha kombëtare që zhvillohen çdo vjeshtë; shpërthimin e madh që ndodhi në vitin 1917; dhe për një industri të vogël por mbresëlënëse vere.

Së shpejti mund të bëhet i njohur edhe për diçka tjetër. Që nga dhjetori 2019, çmimet e banesave në Halifax janë rritur me gati 50%.

Por si ky qytet u bë kaq i shtrenjtë?

Sigurisht kanë ndikuar disa faktorë lokalë. Njerëzit që ishin zhvendosur në Alberta për të punuar në industrinë e naftës humbën punën në vitin 2020 dhe u detyruan të riktheheshin në shtëpi. Banorët jashtë qytetit po investojnë në pronat lokale me shpresën se Kanadaja lindore do të bëhet një vend më i mirë për të jetuar ndërsa klima ndryshon. Megjithatë, tendenca më e gjerë pasqyrohet në pjesën më të madhe të botës. Indeksi global i çmimeve të banesave i FMN-së, i shprehur në terma realë, është shumë më i lartë në krahasim me kulmin e përpara krizës financiare 2007-09.

Çmimet e shtëpive janë rritur me 44% gjatë vitit të kaluar, në krahasim me 27% për tregun e përgjithshëm të aksioneve. Tani njerëzit po pyesin se si do të përfundojë e gjithë kjo. Qeveritë po heqin stimujt. Njerëzit nuk kanë më aq shumë para rezervë për të shpenzuar në prona. Bankat qendrore, të shqetësuara për rritjen e inflacionit, po shtrëngojnë politikën monetare, duke përfshirë edhe rritjen e normave të interesit.

Në raportin e fundit të stabilitetit financiar, FMN-ja paralajmëroi se “risqet e rënies së çmimeve të shtëpive janë të rëndësishme” dhe se, nëse këto do të materializoheshin, çmimet në vendet e pasura mund të bien deri në 14%. Në Zelandën e Re, ku çmimet janë rritur me 24% gjatë vitit të kaluar, banka qendrore u tregua realiste: “Niveli i çmimeve të shtëpive është “i paqëndrueshëm”.

Por a qëndron diçka e tillë? Sigurisht që ka pak prova deri tani që masat e ashpra në politikën fiskale dhe monetare po provokojnë një ngadalësim. Në tremujorin e tretë të vitit 2021, rritja globale e çmimeve të shtëpive u rrit në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Megjithëse banka qendrore e Zelandës së Re ka rritur normat e interesit me 0.5 pikë përqindjeje që nga tetori.

Në vitin 2021, Banka Kombëtare Çeke rriti normat e interesit, por çmimet janë ende në rritje. Por sipas një raporti të Gabriel Chodorow-Reich i Universitetit të Harvardit dhe kolegët, ajo që mund të duket si një flluskë strehimi mund të jetë në fakt produkt i ndryshimeve themelore ekonomike.

Raporti thekson se rritja e çmimit të shtëpive në Amerikë në fillim të mesit të viteve 2000 ishte kryesisht pasojë e faktorëve të tillë si rivitalizimi urban, preferencat në rritje për jetesën në qytet dhe rritja e pagave për punëtorët e arsimuar në qytete. Deri në vitin 2019, çmimet reale të shtëpive në Amerikë kishin arritur kulmin e tyre para krizës financiare.

Janë tre arsye se pse çmimet e shtëpive sot janë kaq të larta dhe pse do vazhdojnë të jenë: bilancet e forta familjare; gatishmëria më e madhe e njerëzve për të shpenzuar më shumë për një jetesë më të mirë; dhe ashpërsia e kufizimeve të furnizimit.

Të pasurit që kanë një punë të qëndrueshme kanë nxitur rritjen e çmimeve. Në Amerikë, rezultati mesatar i kredisë për dikë që merr një hipotekë të mbështetur nga qeveria është rreth 750 – për standardet e shumicës së njerëzve dhe shumë më i lartë se përpara krizës financiare. Në eurozonë bankat shtrënguan ndjeshëm standardet e kredisë për hipotekat në vitin 2020. Për shumë njerëz marrja e një hipotekë është bërë më e vështirë, jo më e lehtë.

Njerëzit janë gjithashtu më pak të cenueshëm ndaj rritjes së normave të interesit. Pjesërisht kjo është për shkak se normat po rriten nga një bazë e ulët. Në Amerikë pagesat e shërbimit të borxhit hipotekor zënë rreth 3.7% të të ardhurave të disponueshme.

Por kjo ndodh edhe për faktin se disa vende të tjera po ndjekin shembullin e Amerikës në rrugën e hipotekës me normë fikse, e cila në afat të shkurtër i mbron njerëzit kundër rritjes së kostove të huamarrjes. Në Gjermani, produktet fikse afatgjatë janë dy herë më të njohura se sa një dekadë më parë. Në Britani pothuajse të gjitha hipotekat e reja janë me normë fikse, me marrëveshjet pesëvjeçare tani më të zakonshme. Sipas UK Finance, një organ tregtar, gati tre të katërtat e të gjithë huamarrësve të hipotekave nuk do të ndikohen nga rritja e fundit e normës së Bankës së Anglisë.

Ndryshimi i preferencave është arsyeja e dytë pse çmimet globale të shtëpive mund të vazhdojnë të jenë të larta. Më shumë njerëz po punojnë në shtëpi, që do të thotë kërkesa më e madhe për zyrat në shtëpi. Të tjerët duan kopshte më të mëdha. Kjo garë për hapësirë ​​shpjegon rreth gjysmën e rritjes së çmimeve të shtëpive gjatë pandemisë, sipas analizave të Bankës së Anglisë.

Në të gjithë botën e pasur, normat e kursimit të familjeve mbeten ende jashtëzakonisht të larta. Kjo mund t’i ketë lejuar njerëzit të investojnë më shumë në prona. Arsyeja e tretë dhe më e rëndësishme pse çmimet e shtëpive mund të mbeten të larta janë ofertat.

Analiza e Economist për statistikat kombëtare dhe të dhënat arkivore zbulon se në vitet para pandemisë, ndërtimi i shtëpive në botën e pasur, dikur i përshtatur për popullsinë, ishte në nivelin më të ulët në mesin e viteve 1960. Oferta për shtëpi është bërë gjithnjë e më “joelastike”: rritja e kërkesës për shtëpi është përkthyer në çmime më të larta dhe më pak në ndërtesa shtesë.

Në shumë vende, pandemia i ka dhënë një goditje të mëtejshme furnizimit. Gjatë valës së parë të Covid-19, disa qeveri i detyruan ndërtuesit të ndalojnë ndërtimin e banesave. Në tremujorin e dytë të vitit 2020, numri i shtëpive në Itali ra me rreth 25%; në Britani u përgjysmuan. Edhe në vendet ku urdhrat e qëndrimit në shtëpi ishin më të buta dhe ligjet e zonave nuk ishin te ashpra, si Teksasi, ritmi i kërkesës ishte aq i shpejtë sa ndërtuesit nuk mund të vazhdonin të ndërtonin për shkak të numrit të kufizuar të marangozëve.

Mungesa e materialeve dhe fuqisë punëtore ka shtuar edhe më shumë kufizimet. Ndërtuesit po përballen me kosto më të larta dhe vonesa për lëndët e para si çimentoja, bakri, lëndë druri dhe çeliku, dhe mungesa e tregtarëve po rrit pagat. DR Horton, ndërtuesi më i madh i shtëpive në Amerikë, tha se çmimi mesatar i shitjeve të shtëpive u rrit me 14% në 2021, duke kontribuar në një rritje prej 78% të fitimeve.

Në tetor, FMN-ja vuri në dukje se fillimet globale të shtëpive për person kishin filluar të rriteshin, megjithëse ato ishin ende nën nivelet e fillimit të viteve 2000″. Por bota ka një rrugë të gjatë për të bërë. Në maj 2021, studiuesit në Freddie Mac, një “ndërmarrje e sponsorizuar nga qeveria” e cila subvencionon pjesën më të madhe të financave amerikane të hipotekave, nxori në pah se ekonomia më e madhe në botë u përball me një mungesë prej gati 3.8 milion shtëpish, nga 2.5 milion në 2018.

Në Angli nevojiten të ndërtohen rreth 345,000 shtëpi të reja në një vit për të plotësuar kërkesën, por ndërtuesit janë shumë larg arritjes së objektivit./ The Economist