Zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, të cilat Ilir Meta i “zbuloi” si një mekanizëm kundër Lulzim Bashës, në fakt po kthehen në një dënim për “Foltoren” e Sali Berishës. E vetmja gjë që i ka mbetur Berishës të bëj është shpërqendrimi i energjive brenda Partisë Demokratike duke bërë sikur bën fushatë për zgjedhje për kandidatë me qëllim që të krijojë idenë e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 6 marsit. Por realisht Sali Berisha nuk ka asnjë shans juridik të marrë pjesë në zgjedhjet e 6 Marsit.
Së pari, ai nuk merr pjesë dot si parti politike e re, pasi ende nuk është regjistruar si e tillë. Atij i duhet së paku deri në fund të muajit të kishte regjistruar partinë e tij, ndërkohë që nuk ka shanse ta bëj. Madje as vullnet. Kështu që nuk do të ketë shanse që ai të konkurroj si një subjekt më vete përballë Partisë Demokratike dhe partive të tjera në garë.
Së dyti, ai nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të gjerë të udhëhequr nga LSI apo Partia Republikane si dy aleatë të tij strategjikë në të ardhmen, pasi që të jesh pjesë e një koalicioni në zgjedhje, duhet të jesh subjekt politik. Ai vetëm mund tu ofrojë kandidatët e tij LSI apo Partisë Republikane dhe të thotë në publik “votoni këta kandidatë se nuk janë të LSI apo Mediut, por janë të Berishës”.
Bashkimi me LSI dhe Mediun e bën Berishën më të vogël dhe jo më të madh. Dhe ky është problem i fort politik i tij, pasi një shkrirje brenda LSI apo Mediut, e bën atë një fraksion qesharak. E vetmja vlerë në këtë rast do të ishte inaugurimi i partisë së tij të re në të ardhmen bashkë me LSI.
Varianti i tretë, ai i kandidatëve të pavarur, duhet të ndjek po ashtu rrugën e formimit të subjekteve politike. Ai duhet të regjistrojë deri në fund të muajit “Komitetet” e pavarura nismëtare si subjekte zgjedhore që të nxjerrin kandidatë për secilën bashki. Ky afat ështe 28 janar deri me 31 Janar.
Regjistrimi i kandidatëve pastaj duhet të ndjek procedurat ligjore dhe afatet e parashikuara nga KQZ, ku nga 6 deri më 9 shkurt kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin në KQZ.
Siç duket as kjo nuk ka gjasa të ndodh pasi Berisha nuk po lëviz në këtë drejtim. Por nëse ndodh, atëherë kjo hedh poshtë gjithçka që Berisha ka bërë deri tani kundër Bashës, pasi ai me këtë akt njeh zyrtarisht Bashën kryetar të PD dhe vet fillon procedurat për partinë e tij.
Pra siç shihet qartë, shanset juridike të Sali Berishës për të konkurruar më 6 Mars, janë më të mëdha të shkrihet brenda LSI apo Partisë Republikane. Asnjë shans tjetër.
Por politikisht rruga më e mirë për Sali Berishën do të ishte bojkotimi i 6 Marsit, pasi ashtu edhe nuk diskreditohet që të bëhet pjesë e LSI edhe nuk kuptohet ende sa vota ka, dhe i jep mundësi vetes të vazhdoj betejën kundër Bashës.
Por kjo edhe pse është politikisht më e mira për të, është poshtëruese për të, pasi duket sikur e nxori Basha nga gara.
Kështu që ai më 6 mars, as nuk merr pjesë dot në zgjedhje as nuk i bojkoton dot ato nga turpi. Njësoj si më 8 Janar, ai do pres momentin kur të mos e regjistroj KQZ dhe të thotë “më nxori Edi Rama me policë nga zgjedhjet”. Siç u gëzua kur policët e zbuan nga ndërtesa e SHQUP më 8 Janar.