MENU
klinika

Nga Lorenc Vangjeli

Si komunistët, shpik një armik që të festosh fitoren mbi të

07.01.2022 - 13:49

Jorida Tabaku dhe Flamur Noka kanë shumë pak gjëra të përbashkëta mes tyre. Të numëruara me gishtat e një dore, deri dje ato fillonin me identitetin e njëjtë politik, për aq sa ai varet nga tesera e partisë, me vendin e njëjtë të punës, parlamenti shqiptar dhe ndoshta edhe me dëshirën për të ardhur apo administruar pushtet. Por spiralja e paparashikueshme e ngjarjeve që nga shtatori i vitit të kaluar, e ka bërë diferencën mes tyre edhe më domethënëse. Të rreshtuar mbas drejtuesve të dy fraksioneve realë në PD, ata janë simboli i këtyre fraksioneve dhe deri edhe prova e fortë sesi do të shkojë prova e forcës mes palëve në PD.

Të mërkurën në mesditë ata u ndeshën të dy me dyert e mbyllura të selisë së PD-së. Jorida duke pritur që ata të çelësit t’i hapnin derën, kurse ata të çelësit ishin me shpresë që dera nuk do të lejonte Flamurin të hynte brenda. Si përfundim, të dy deputetët patën fat të ndryshëm sepse Jorida u lejua të hyjë në seli, kurse Flamuri dha konferencë shtypi në shkallët e selisë. Qoftë dhe kjo tabloja e vetme njerëzore në “ditën e ultimatumit”, ajo shenjon ndarjen në dy klasa të njerëzve në partinë më të madhe të opozitës: në deputetë normalë dhe deputetë non grata në seli, njëra e babës së ri të demokratëve dhe tjetri bir i njerkut të përzënë nga partia. Një ndarje mes babës dhe njerkut që do të shkojë vertikalisht në të gjithë piramidën e përfaqësimit të PD-së.