MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si të ulim tensionin e lartë të gjakut pa përdorur ilaçe

05.01.2022 - 10:43

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si të ulim tensionin e lartë të gjakut pa përdorur ilaçe

Mjeku: Një ndër kërcënimet më serioze të shëndetit është pa dyshim presioni i lartë i gjakut. Kjo gjendje mund t’i sjellë trupit një sërë sëmundjesh dhe efektesh anësore shumë shqetësuese. Zhvillohet kur muret e arterieve të mëdha humbasin elasticitetin e tyre dhe ngurtësohen apo kur enët e gjakut ngushtohen. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, niveli i vdekshmërisë në vend nga sëmundje të cilat shkaktohen prej hipertensionit është rritur në Shqipëri gjatë viteve të fundit.

Kjo përkthehet me 36% të grupmoshave nga mosha 25 vjeç e sipër ku burrat janë më të prekurit. Ndër shkaktarët kryesorë në majën e listës, renditet stili i jetesës dhe kryesisht e ngrëna jo e shëndetshme. Në këtë artikull ju shpjegojmë disa nga këshillat më të mira për ta trajtuar këtë gjendje pa përdorur mediakamente.

Si të Ulni Presionin e Lartë të Gjakut
Duke qënë se ky problem shfaqet veçanërisht nga stili i jetesës, ndryshimet e para sigurisht që do të fillojnë nga aty. Sipas këshillave të ISHP, vetëm me gjashtë hapa të thjeshtë mund të arrini ta shmangni dhe përmirësoni këtë problem.

Kontrolloni Peshën
Mbajtja e peshës së duhur është gjithnjë thelbësore për parandalimin e hipertensionit. Ekspertët thonë se 50% – 90% e presionit të lartë të gjakut mund të evitohet me një stil të shëndetshëm jetese. Mbipesha rrit ndjeshëm presionin e lartë të gjakut ndaj nëse jeni obezë duhet të dobësoheni të paktën 10% të masës tuaj trupore. Sa më shumë të dobësoheni aq më shumë do të bjerë presioni i lartë i gjakut duke evituar një sërë sëmundjesh të tjera.

Konsumoni më Pak Kripë
Reduktimi i sasisë së kripës që konsumoni çdo ditë është një tjetër element kyç në trajtimin e sëmundjes. Kjo pasi konsumimi i tepërt i kripës rrit presionin e gjakut. Ekspertët rekomandojnë produktet që kanë më pak se 0.25gr kripë për 100 gr.

Evitoni Alkoolin
Përveçse dëmton mëlçinë dhe zemrën, konsumimi i sasive të mëdha të alkolit mund të çojë edhe në shfaqjen e hipertensionit. Sipas ekspertëve personat që konsumojnë një gotë alkol në ditë, kanë 53% më shumë mundësi të preken nga hipertensioni. Mundohuni ta evitoni atë sa më shumë të jetë e mundur, pasi është një rrezik për shëndetin e të gjithë organizmit.

Konsumoni më Shumë Fruta dhe Perime
Nëse konsumoni 5 ose më shumë fruta dhe perime në ditë do të jeni larg zonës së rrezikut. Frutat dhe perimet janë ndër ndihmësit më të mirë për të ulur presionin e lartë të gjakut. Gjithnjë kini parasysh t’i zgjidhni ato të freskëta dhe të stinës.

Jini Aktivë
Aktiviteti fizik është zgjidhja për shumë sëmundje, ashtu edhe për presionin e lartë të gjakut. Mjekët rekomandojnë kryerjen e aktivitetit fizik çdo ditë, me të paktën 30 minuta ose 5 herë në javë. Kjo mënyrë do të ndihmojë në uljen e presionit të gjakut në trupin tuaj, gjithashtu do të ulë edhe peshën e tepërt.

Këshillohuni Me Mjekun
Kontrollet periodike me mjekun janë thelbësore për të përballuar çdo sëmundje. Nëse merrni ilaçe apo kura të forta kundër hipertensionit, mos i ndërprisni ato asnjëherë pa u këshilluar me një specialist. Ndiqni pesë hapat e mësipërm në mënyrë që të reduktoni në mënyrë graduale presionin e gjakut tuaj dhe të evitoni ilaçet.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.