MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si zhvillohen infeksionet urinare?

07.01.2022 - 12:22

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si zhvillohen infeksionet urinare?

Mjeku: Bakteriet më të shpeshta që shkaktojnë infeksionet urinare janë ato që zakonisht gjenden në florën intestinale. Këto janë kryesisht bakterie gramnegative: Escherichia coli, proteus, pseudomonas, klebsiella, e më rrallë enterokoke dhe mikroorganizma të tjera.

Invadimi me bakterie i veshkave mund të ndodhë me anë të dy rrugëve:
Rruga hematogene gjatë një gjendje bakteriemie ose septike.
Rruga ascendente (ngjitese) si pasojë e një infeksioni të rrugëve të poshtme urinare.
Rruga ngjitëse (ascendente është rruga kryesore e shkaktimit të infeksioneve urinare.

Diagnoza e infeksionit të traktit urinar vihet në bazë të gjetjes në urinë të bakterieve. Thuhet se ka bakteriuri të rëndësishme kur numri i tyre është mbi 100.000 /ml urinë. Vlerë të madhe ka edhe gjetja e leukociteve në sedimentin urinar. Rëndësi të madhe ka mënyra e mbledhjes së urinës për analizë. Duhet që të merret urina e mëngjesit pasi të jetë hedhur urina e natës. Kur mblidhet urina duhet që porcioni i parë i saj të hidhet jashtë dhe të mblidhet porcioni i mesit të urinës.

Për vendosjen e bakterieve në traktin urinar ndikojnë disa faktorë favorizues:

Manovrat instrumentale në traktin urinar
Të gjitha konditat që pengojnë rrjedhjen normale të urinës e traktin urinar si refluksi vezikoureteral, kalkulozat (gurët) , hipertrofia ose tumoret prostatike, vezika neurogene, neoplazite e bacinit të vogël etj.

Gjithë ato kushte që japin crregullime e ndryshime në nivelin e papilave renale si diabeti mellitus, abuzimi me analgjezike, anemia drepanocitare etj.

Gratë janë më të favorizuara për infeksione urinare pasi ato kanë uretrën më të shkurtër, e kësisoj është më e lehtë që bakteriet që vinë nga koloni të penetrojnë në traktin urinar. Shtatzënia është një faktor tjetër favorizues për infeksionet urinare. Në gratë shtatzëne është konstatuar se ka bakteriuri pozitive në 6-7% të rasteve. Nëse këto gra lihen pa u mjekuar atëherë 20-30% e tyre bëjnë më pas pyelonefrite simptomatike duke kërcënuar seriozisht jetën e fetusit dhe lindje të parakohshme.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.