MENU
klinika

Oxfam: Pabarazi e turpshme

“Taksimi i më të pasurve në botë mund të shpëtojë jetë!”

17.01.2022 - 14:44

Pandemia i ka bërë të pasurit më të pasur ndërsa të ardhurat e pjesës tjetër të botës – rreth 99% e njerëzimit – ranë ndjeshëm, sipas një raporti të ri të Oxfam të titulluar “Pabarazia vret”. Pasuria e 10 njerëzve më të pasur në botë u dyfishua nga 700 miliardë dollarë në 1.5 trilion dollarë gjatë pandemisë sipas të dhënave të fundit të Oxfam.

Një taksë e papritur prej 99% mbi fitimet pandemike të 10 njerëzve më të pasur në botë do të mblidhte mjaft para për të paguar vaksinat për botën – si dhe do të financonte masa të ndryshme sociale për më shumë se 80 vende, thuhet në raport.

Pasuria e miliarderëve u rrit më shumë që nga fillimi i Covid-it në krahasim me 14 vitet e fundit, dhe një miliarder i ri krijohej çdo 26 orë që nga fillimi i pandemisë, tha Oxfam. Drejtuesit e përgjithshëm të zhvilluesve të vaksinave Covid Moderna dhe BioNTech bënë miliarda në 2020 si rezultat i pandemisë.

Në të njëjtën kohë, shumica dërrmuese e popullsisë është në gjendje më të keqe pas humbjes së të ardhurave gjatë Covid-19, dhe 160 milionë njerëz të tjerë ranë në varfëri, thuhet në njoftim. Një mënyrë për të “rikthyer” fitimet e mëdha të bëra nga miliarderët gjatë krizës është taksimi i parave që miliarderët kanë bërë që nga fillimi i pandemisë, sipas raportit.

Edhe pas taksës, 10 njerëzit më të pasur në botë do të ishin ende miliarderë dhe si grup, do ta kishin rritur pasurinë e tyre me 8 miliardë dollarë që nga fillimi i pandemisë, thuhet në raport. Përtej një takse të papritur, qeveritë duhet gjithashtu të zbatojnë ose rrisin taksat e përhershme të pasurisë dhe kapitalit për të “ulur rrënjësisht pabarazinë e pasurisë”, shkruhet në raport.

Raporti i Oxfam u publikua përpara takimeve virtuale të Forumit Ekonomik Botëror të kësaj jave, ku liderët botërorë do të diskutojnë sfidat globale.