MENU
klinika

Temperaturat e ulëta/ Publikohet vendimi i qeverisë

Tri ditë pushimi për njërin nga prindërit me fëmijë të mitur

24.01.2022 - 18:41

Temperaturat e ulëta në të gjithë vendin kanë detyruar institucionet shtetërore që të mbyllin shkollat e ciklit të ulët, të mesëm si dhe kopshtet e çerdhet në datat 24, 25 dhe 26 janar.

Po ashtu, me anë të një VKM-je është vendosur që pushim të kenë njëri prej prindërve me fëmijë të mitur të cilët punojnë në administratën shtetërore.

Sipas kësaj VKM-je të kaluar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, prindërit që punojnë në administratën shtetërore, nëse e kanë mundësinë, mund të punojnë nga shtëpia me urdhër të eprorit të tyre.

Qeveria shqiptare i bën thirrje dhe kompanive private që nëse është e mundur të zbatojnë këtë vendim.

V E N D I M

PËR

CAKTIMIN E DATAVE 24, 25 DHE 26 JANAR 2022 DITË PUSHIMI PËR PRINDIN KUJDESTAR TË FËMIJËVE TË MITUR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Caktimin e datave 24, 25 dhe 26 janar 2022 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, për aq sa është e mundur, përjashtimisht, me kërkesë të eprorit të drejtpërdrejtë ose titullarit të institucionit, mund të kryejnë detyrat më të domosdoshme funksionale të cilat përmbushen në kushtet e banesës, nëpërmjet telepunës.

Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe të institucioneve arsimore, si pasojë e motit të ftohtë të këtyre ditëve, jo të zakonshëm në vend, dhe përshkallëzimit të përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi, duke garantuar funksionalitetin e domosdoshëm të çdo institucioni.