MENU
klinika

Zëdhënësja e KE: Do punojmë fort me Presidencën franceze...

“Vetoja bullgare po dëmton rëndë besueshmërinë e unionit”

05.01.2022 - 11:29

Një ‘veto’ e Bullgarisë për shkak të probleme të Maqedoninë e Veriut po mban peng prej muajsh hapjen e negociatave me këtë vend por edhe me Shqipërinë, duke qenë se BE ka synim që të mos i ndajë 2 vendet nga njëra-tjetrën. ‘Vetoja bullgare po dëmton rëndë besueshmërinë e vetë unionit’. Qëndrimin e fortë e ka mbajtur ekskluzivisht për Report Tv zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero.

Ajo nënvizon se si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit dhe data e Konferencave Ndërqeveritare duhet të përcaktohet sa më parë.

“Është thelbësore që vendet anëtare të BE-së të përfundojnë diskutimet mbi Kornizat Negociuese pa vonesa të mëtejshme dhe që konferencat e para ndërqeveritare me të dyja vendet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur. Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit.

Komisioni do të mbetet në kontakt me të gjitha palët përkatëse dhe do të punojë me Presidencën e ardhshme franceze për të arritur qëllimin tonë të përbashkët për fillimin zyrtarisht të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Siç e kemi thënë gjatë gjithë kohës, vonesat në nisjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po ndikojnë negativisht në besueshmërinë e BE-së. Çështjet dypalëshe në pritje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të zgjidhen si çështje prioritare dhe nuk duhet të pengojnë procesin e zgjerimit. Ne vazhdojmë të inkurajojmë të dyja palët që të arrijnë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për çështjet dypalëshe në pritje“, ka thënë Pisonero