MENU
klinika

Analiza

Vladimir Putin ka rënë në kurthin që ngriti vetë

29.01.2022 - 11:48

Nga Julia Latinina “New York Times”

Kjo pyetje po bëhet nga të gjithë:A do të hyjë presidenti Vladimir Putin në një luftë kundër Ukrainës? Nëse gjykohet bazuar tek makineria ruse e propagandës, ku manjatë të medias parashikojnë një fitore “brenda 48 orëve”, përgjigjja është një po e prerë.

Megjithatë e vërteta është më komplekse. Ndërsa nuk ka asnjë dyshim se Putin e konsideron Ukrainën më shumë se sa vetëm një provincë ruse, siç e theksoi në një ese të gjatë pseudo-historike që e publikoi në korrikun e vitit të kaluar, megjithëse nuk ishte e qartë nëse qëllimi i tij ishte lufta.

Një konflikti i drejtpërdrejtë – krahasuar me sulmet e papritura, operacionet e fshehta apo luftërat hibride – nuk është në fakt në stilin e zotit Putin. Ka shumë të ngjarë që grumbullimi i trupave ruse nëntorin e vitit të kaluar në kufi, të ketë qenë një përpjekje për ta detyruar Perëndimin të heqë dorë nga çdo pretendim mbi Ukrainën.

Kjo do të ishte një fitore e madhe e PR (marrëdhënieve me publikun) me një kosto minimale. Por Perëndimi e kuptoi bllofin e tij. Sidomos gjatë javës së shkuar, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë përdorur një ton dukshëm më të ashpër në deklaratat e tyre që kishin të bënin me Rusinë.

Dhe më e rëndësishmja:ata kanë dërguar pajisje ushtarake në të gjithë Evropën Lindore, dhe kanë vendosur në gatishmëri trupat. Mesazhi është i qartë:nëse Rusia nuk do të tërhiqet nga ideja e sulmit, atëherë as Perëndimi nuk do ta bëjë këtë.

Por në vend se të fusë në kurth Shtetet e Bashkuara, zoti Putin ka rënë vetë në kurth. I bllokuar midis skenarit të një konflikti të armatosur dhe një tërheqjeje poshtëruese për të, ai tani po sheh se mundësitë e tij për të manovruar po reduktohen ndjeshëm.

Ai mund të nisë pushtimin e Ukrainës duke rrezikuar edhe humbjen, ose mund të tërhiqet, duke mos pasur asgjë për të treguar mbi aftësinë e tij të jashtëzakonshme. Se çfarë do të ndodhë më pas, kjo nuk dihet. Por një gjë është e qartë:basti i Vladimir Putinit ka dështuar.

Në pamje të parë mund të mos duket e besueshme që Kremlini, i cili nga nëntori ka grumbulluar mbi 100.000 ushtarë në kufi me Ukrainën, nuk po përgatitej për luftë. Por arsyet për të besuar se Rusia do të tërhiqet nga ideja e një pushtimi janë të shumta.

Së pari, zoti Putin – kujdesin instinktiv të të cilit e kam vënë re me kujdes gjatë 2 dekadave të fundit – ka një histori tërheqjeje që në sinjalin e parë të nisjes së një konflikti të vërtetë. Për shembull, kur mercenarët rusë u vranë nga trupat amerikane në Siri në vitin 2018, ai e pati shansin e përsosur për t’u hakmarrë.

Por në vend të kësaj, Rusia mohoi ndodhjen e asaj ngjarje. Po kështu, kur dronët ushtarakë turq goditën mercenarët dhe pajisjet ruse në Libi dhe Siri, nuk pati asnjë reagim të fortë. Në fakt, duket se Putin ishte aq i vetëdijshëm për fuqinë ushtarake Turqisë, saqë nuk guxoi t’i bashkonte forcat me Armeninë, kur në shtatorin e vitit 2020 territori i kësaj të fundit u sulmua nga Azerbajxhani i mbështetur nga Turqia.

Dhe pasi dërgoi në mënyrë triumfale trupat e tij në Kazakistan për një kohë të pacaktuar, Putin nisi t’i tërheqë shumë shpejt, pasi Ministri i Jashtëm rus mori një telefonatë nga homologu i tij kinez. Me sa duket, operacionet e mëdha dhe të suksesshme ushtarake të Rusisë nën sundimin e Putin – disfata e Gjeorgjisë në vitin 2008, dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014 – kanë ndodhur kur Perëndimi e kishte mendjen diku tjetër.

Në të dyja rastet, bota ishte e zënë me gjëra të tjera, ndaj Rusia pati mundësinë t`i realizonte planet e saj pa kërcënimin e një opozite të armatosur ndërkombëtare. Ndërkohë tani nuk është kështu. Për më tepër, nuk ka arsye të brendshme për të nisur një luftë të re.

Është e vërtetë:vlerësimet në sondazhe për Putinin kanë rënë dhe çmimet janë rritur, por nuk ka trazira të mëdha të brendshme, dhe zgjedhjet e reja mbahen pas 2 vjetësh. Ai nuk kërkon një aventurë të ekspansionizmit për të garantuar sundimin e tij apo për ta shpërqendruar popullsinë ruse nga problemet e saj.

Lufta është një buton i madh i kuq që mund të shtypet vetëm një herë. Tani për tani, ai nuk ka nevojë për këtë gjë. Dhe pastaj vijmë tek arsyeja kryesore:Rusia nuk do të ishte e sigurt për fitoren. Ushtria ukrainase është përmirësuar ndjeshëm, pasi ka përmirësuar pajisjet e saj dhe ka shtuar përgatitjet për t’u përballur me një pushtim tokësor.

Për me tepër edhe trupat ruse të dislokuara pranë kufirit, janë të pamjaftueshme për pushtimin. Për shkak të numrit të madh, ushtria ruse mund të jetë në gjendje të përparojë:Sasia ka cilësinë e saj, siç ka thënë dikur Stalini. Por me siguri, kjo do të vinte me koston e humbjeve katastrofike në jetë njerëzore.

Por nëse nuk kishte si synim kryesor pushtimin, pse e rriti aq shumë nivelin e kërcënimeve? Përgjigja është e thjeshtë:Afganistani. Tërheqja katastrofike e Perëndimit nga ky vend në gushtin e vitit të kaluar sinjalizoi zbehjen e oreksit të Shteteve të Bashkuara për përfshirje jashtë vendit.

I trimëruar nga ajo ngjarje, Putin mendoi se ishte koha e duhur për të çuar përpara kauzën e tij për një rishikim të rendit të pas Luftës së Ftohtë. Pa pazaret e zakonshme – pa një ekonomi

të shëndoshë, pa armë superiore, dhe pa ndjekës fanatikë – ai nisi të luajë me kartën e paparashikueshmërisë. Sa më irracionale që të ishte sjellja e tij, aq më shumë kishte gjasa që Shtetet e Bashkuara të pranonin kërkesat e tij.

Këto kërkesa, të botuara në formën e projekt-traktati në dhjetor, ishin në shumë raste absurde. Për shembull, dihej se kërkesa që NATO të tërheqë trupat e saj nga vendet anëtare të Evropës Lindore, nuk do të plotësohej asnjëherë.

Edhe kërkesa kryesore, që NATO t’i mohojë Ukrainës anëtarësimin në aleancë, ishte idiote në një aspekt tjetër. Kjo pasi nuk ka asnjë shans që Ukraina të anëtarësohet së shpejti në NATO. Por ky ishte synimi i zotit Putin:duke kërkuar diçka që tashmë po ndodhte, ai synonte të arrinte një fitore mbi Perëndimin.

Por në vend se të nënshtroheshin, Shtetet e Bashkuara filluan qëtë armatosin Ukrainën. Të mërkurën, Uashingtoni iu përgjigj zyrtarisht kërkesave të Vladimir Putin:Ndërsa ne nuk i dimë termat e sakta të përgjigjes, Sekretari i Shtetit Antony Blinken, e bëri të qartë se nuk do të ketë lëshime.

Pra loja e presidenti rus ka ngecur. Opsionet e tij janë të kufizuara. Ai mund të kërkojë nga Perëndimi të ndalë furnizimet e tij ushtarake ndaj Ukrainës. Ai mund të shfryjë dufin e tij mbi opozitën, duke synuar ta portretizojë Rusinë si viktimën e “Perëndimit të poshtër”.

Ose mund të vendosë t’i testojë ujërat me një provokim të fshehtë, të ndërmarrë nga gjoja qytetarë privatë rusë, nga ata që Putin dikur i quajti “minatorët e qymyrit dhe shoferët e traktorëve”. Ky mund të jetë një truk i vogël për të shpëtuar fytyrën, por situata mund të dalë lehtësisht jashtë kontrollit.

Sfidat ligjore mund të ngadalësojnë procesin

Zgjedhjet në SHBA/ Kur dhe si do të numërohen votat?

Para, rrjete sociale, raketa e satelitë

ANALIZA: Basti i madh i Elon Musk

“Arma” e Kamala Harris për Shtëpinë e Bardhë

Zgjedhjet në SHBA/ A do ta “dënojnë” gratë Donald Trump?

Gara “kokë më kokë” mes Trump dhe Harris!

Kur do ta zbulojmë se kush i ka fituar zgjedhjet në SHBA?