Nga Mentor Kikia
31 vjet pas rrëzimit të përmendores së Enver Hoxhës, lavdia dhe miti i protagonistëve, veçanërisht atyre që ishin kalëruar mbi bronzin që tërhiqej zvarrë rrugëve të Tiranës në 20 shkurt 1991, nuk është më ajo e mëparshmja. Heroizimi i tyre duket se nuk vlerësohet mjaftueshëm nga ata që lindën pas kësaj dite. Sepse ata që lindën pas kësaj dite tashmë nuk janë të bindur se ata(ne) bënë ndonjë heroizëm të vërtetë atë ditë e atë kohë. Madje edhe vetë protagonistët dhe bashkëkohësit tani kanë kuptuar se më rrëzimin e përmendores nuk u rrëzua komunizmi. Ose, në rastin më të mirë, komunizmin e zëvendësuam me një regjim hibrid të korruptuar.
Sepse tani Shipëria është vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë.
Shqipëria është vendi më i varfër në Europë.
Shqipëria është vendi me ritmin më të shpejtë të plakjes së popullisë në Europë, si pasojë e largimit të rininë. Kur “rrëzuam” komunizmin e kishim moshën mesatare 28 vjeç. Ishim popullsia më e re në Europë. Sot kemi një moshë mesatare rreth 39 vjeç, me një tendencë rritjeje shumë të shpejtë.
Po përse ka rënë shkëlqimi i heroizmit të rrëzimit të përmendores së Enver Hoxhës?
Mbi të gjitha, vërtet, a e rrëzuam ne regjimin komunist?
Unë them jo!
Komunizmi, si model politik, ekonomik e social kishte rënë në të gjithë Europën Lindore. Shqipëria ishte ishulli i fundit, ku në fakt komunizmi nuk kishte rënë, por kishte falimentuar e kapitulluar të paktën 5 vjet më herët. Por dikush duhej ta shtynte që të binte.
Edhe pse regjimi më i egër në Europë, ai e dinte se koha e fundit jo kishte ardhur, por kishte kaluar. Ai e nxiti “revolucionin” dhe nuk bëri rezistencë. Sepse në “ Bllok” shihnin ëndërra me Bukuresht e Çausheskë. Regjimi nuk donte as të vriste, as ta vrisnin, ndaj u zgjodh tryeza e bisedimeve. Revolucioni u ul në tavolinë me komunizmin dhe vendosën ta bëjnë demokracinë aty. “Hajdeni – u tha Ramiz Alia studentëve dhe nismëtarëve të PD-së – është shumë e thjeshtë, ju bëni partinë tuaj, ne kemi tonën. Futemi në zgjedhje dhe garojmë”. Populli vërtet i gëzohej rrëzimit të përmendores, por ndeshja ishte vendosur në tavolinë. Regjimi komunist caktoi partitë e reja të opozitës dhe vetë, brenda natës, u konvertua në socializëm liberal. Pjesa tjetër e historisë dihet.
Pas kësaj, mungesës së lirisë ia zuri vendin kaosi dhe banda e regjimit u zëvendësua nga banda e hajdutëve të pasurisë kombëtare. Nisi me një vrull historik çmontimi i ekonomisë socialiste, jo modelit, por aseteve të saj. U shkatërrua çdo investim. U çmontua industria e rëndë e falimentuar, dhjetra fabrika të produkteve ushqimore që mund të punonin ende dhe sot, deri tek plantacionet e agrumeve, vreshtat e ullishtat, hekurudhat, kanalet vaditëse… Pas 30 vjetësh, i dhamë dorën e fundit katij aksioni të paprecedent, duke shkulur e shkrirë në furrat e çelikut edhe Uzinën e Naftës në Ballsh.
Ndërkohë…
Të përndjekurit politikë, opozita e vërtetë e regjimit, u bënë ish të përndjekur dhe mbetën përfundimisht të përndjekur.
Nga regjimi askush nuk u dënua për krimet që kishin bërë mbi popullin për 45 vjet.
Ish pronarët mbetën sërish dhe përfundimisht ish pronarë.
Ndërsa kasta e re që lindi nga “marrëveshja” për transformimin e diktaturës në demokraci, u pasurua shpejt dhe instaloi në vend të diktaturës dhe dhunës politike, diktaturën e parasë së krimit dhe të korrupsionit.
“Hajdeni – tha Ramiz Alia – ju bëni partinë tuaj, ne kemi tonën. Futemi në zgjedhje dhe garojmë”. Dhe gara vazhdon, që nga 1991. Gara e radhës është në 6 Mars 2022. Tjetra është në qershor 2023. Tjetra është në 2025…
Ndërsa Partia Demokratike, ajo që ka marrë autorësinë e rrëzimit të regjimit komunist, një nga kauzat e saj më të reja dhe më të rëndësishme sot ka dekomunistizimin e vendit.
Po komunistët kush janë?