MENU
klinika

Flet ish-ambasadori

A mundet Kosova të hyjë në NATO me procedurë të përshpejtuar?

28.02.2022 - 20:49

Për momentin, Kosova nuk mund të anëtarësohet në NATO me një procedurë të përshpejtuar, thotë drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci, njohës i çështjeve të sigurisë. Ish-ambasadori thotë se situata e tensionuar ndërkombëtare nuk ka shkuar deri aty sa partnerët ndërkombëtarë ta shtyjnë Kosovën me ngutë drejt anëtarësimit në NATO, duke i kapërcyer kushtet e paplotësuara elementare.

Procedura e anëtarësimit të Kosovës në NATO nuk është e thjeshtë. Lulzim Peci nga KIPRED tha në një intervistë për Gazetën Express se Kosova aktualisht nuk është partner mjaftueshëm kredibil i bashkësisë ndërkombëtare. Meqenëse për vendin do të mbetet objektiv anëtarësimi në NATO, Peci thotë se Kosova duhet të krijojë rrethana të favorshme për veten dhe ta dëshmojë me veprime që është në një linjë me Perëndimin. Fillimisht, Peci thotë se Kosova duhet t’i heq hezitimet në raport me sugjerimet e SHBA-së për ndërtimin e gazsjellësit – projekt që thotë se po bëhet për ta hequr varshmërinë nga gazi rus – të përqëndrohet në dialogun me Serbinë dhe ta marrë seriozisht në konsideratë propozimin amerikan për çështjen e liqenit të Ujmanit.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha të dielën se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO është nevojë urgjente për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë, ndërkohë që kjo teme dhe një bazë e përhershme ushtarake e SHBA-së në Kosovë në kontekst të luftës në Ukrainë, po marrin vëmendje ndërkombëtare. Por, ish-ambasadori Lulzim Peci thotë se Kosova duhet të prodhojë stabilitet të brendshëm dhe të eksportojë stabilitet jashtë rrugës së saj drejt anëtarësimit në NATO. Situata në rajon edhe mund të tensionohet, por Peci thotë se Kosova duhet ta dijë rolin e saj kyç.

Gazeta Express: A mund ta shfrytëzojë Kosova situatën aktuale dhe të anëtarësohet në NATO?

Lulzim Peci: Mendoj që në situatën e tanishme Kosova s’mundet menjëherë të anëtarësohet në NATO, meqenëse i kemi ende disa vende të cilat nuk e njohin Kosovën dhe Kosova nuk e ka bërë hapin e parë rreth anëtarësimit në NATO, që është anëtarësimi në partneritetin për paqe, e po ashtu që Kosovës duhet t’i dorëzohet ftesa edhe për planin aksional për anëtarësim. Këto janë dy kushtet elementare të cilat Kosova nuk i ka të plotësuara dhe situata në Ballkan nuk është aq e tensionuar sa që të shihet si çështje strategjike integrimi i menjëhershëm i Kosovës në NATO.

Gazeta Express: Nëse hipotetikisht situata tensionohet edhe në Ballkan, ju shihni mundësi që atëherë Kosova të mund të anëtarësohet në NATO?

Lulzim Peci: Në NATO ose ka anëtarësim të plotë, ose nuk ka anëtarësim të plotë. Nuk ka anëtarësim të mesëm. Kështu që, nëse tensionohet situata mund të vije deri në këtë pikë nëse edhe katër vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën e që janë anëtare të NATO-s pajtohen për këtë. Por procedura e anëtarësimit në NATO nuk është bash e thjeshtë. Edhe ajo merr kohë sepse këtë anëtarësim të Kosovës duhet ta aprovojnë të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe parlamentet e tyre duhet të shprehen pro kësaj çështjeje. Por derisa është KFOR-i këtu dhe kemi mbrojtje nga KFOR-i, nuk besoj që anëtarësimi do të shkojë në mënyrë të shpejtë. Mirëpo në anën tjetër Kosovës mund t’i hapet perspektiva për të hyrë në NATO nëse është palë konstruktive për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Gazeta Express: Pra, kjo varet shumë nga Kosova. Çfarë duhet të bëjë Kosova konkretisht?

Lulzim Peci: Absolutisht, absolutisht. Sepse – dua ta them një gjë, që rreshtimi i Kosovës me Perëndimin kundër Rusisë është një obligim dhe për këtë nuk mund të merren kredite (merita). Ndërsa rreshtimi i Serbisë që është bërë në drejtim të Rusisë është një çështje tjetër. Këto janë dy çështje të ndara derisa Serbia nuk do të paraqesë rrezik për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan.

Në këtë situatë në të cilën jemi tani, nëse dëshiron Kosova të krijojë rrethana të favorshme për të, ajo duhet të jetë partner kredibil i Perëndimit dhe partner proaktiv. Çfarë nënkuptoj këtu? Që pikë së pari duhet t’i heq hezitimet në raport me sugjerimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ndërtohet gazsjellësi, po ashtu t’i rikthehet dialogut… Gazsjellësi është puna e parë, mandej ka të bëjë edhe me çështjen e liqenit të Ujmanit që po ashtu duhet ta merr në konsideratë propozimin amerikan dhe të mos jetë i heshtur. Por çfarë është rëndësia më e madhe, Kosova duhet të bëhet eksportues i stabilitetit në rajon duke treguar lidership në integrimin e komunitetit serb në Kosovë, sidomos në këtë situatë të tensionuar ndërkombëtare. Kosova, pra, duhet të prodhojë edhe stabilitet të brendshëm, edhe stabilitet të jashtëm.

Gazeta Express: Ju shihni se Kosova nuk është mjaftueshëm partner kredibil i ndërkombëtarëve?

Lulzim Peci: Jo. Jo, nuk është partner mjaftueshëm kredibil i bashkësisë ndërkombëtare sepse këto janë sugjerime dhe këto kanë të bëjnë me diversifikimin e energjisë në Kosovë, por edhe në rajon. Ky projekt e ka atë qëllim dhe Kosova është njëra prej hallkave të diversifikimit të energjisë në rajon. Krejt ky projekt është i ndërtuar për ta hequr varshmërinë nga gazi rus.

Gazeta Express: A mund të tensionohet situata në rajon?

Lulzim Peci: Situata në rajon është fragjile. Atë e theksoi edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Z. Borrell. Tha që njëra ndër pikat e jostabilitetit është edhe Ballkani Perëndimor, pa dyshim, mirëpo puna qëndron që Kosova duhet të tregohet edhe në veprime që është pjesë e Perëndimit dhe që i është bashkuar Perëndimit në këtë linjë politike. Roli kyç i Kosovës është që të prodhojë siguri të brendshme dhe të jashtme në raport me fqinjët dhe më gjerë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Po përballemi me presion për njohje"

Vuçiç: Ka rrezik që Kosova të pranohet në NATO