MENU
klinika

Analiza

Autoritarizmi i Erdogan, e bën të pamundur anëtarësimin në BE

05.02.2022 - 08:37

Nga Futura D’Aprile “Linkiesta”

Pas më shumë se një viti tensionesh mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë, situata në Mesdhe duket se është stabilizuar. Megjithatë marrëdhëniet mes Brukselit dhe Ankarasë janë ende të tensionuara.

Javët e fundit, presidenti turk i ka dërguar disa mesazhe – pak a shumë të drejtpërdrejta Brukselit – duke vazhduar ta distancojë vendin e tij nga blloku 27-anëtarësh, edhe pse në aspektin retorik Erdogan e ka përcaktuar anëtarësimin në të si një nga “objektivat strategjikë” të presidencës së tij.

Arrestimi i Sedef Kabas

Pak ditë më parë bëri bujë lajmi për arrestimin e gazetares turke Sedef Kabas, e akuzuar për fyerjen e Presidentit të Republikës. “Ne kemi një fjalë të urtë shumë të njohur”- tha gazetarja gjatë një debati televiziv në televizionin privat “Tele1”. “Koka e kurorëzuar bëhet më e mençur. Por tani po shohim që kjo nuk është e vërtetë. Demi nuk bëhet mbret duke hyrë në pallat, përkundrazi pallati shndërrohet në një stallë…”.

Kjo deklaratë që i referohej qartazi Erdogan i kushtoi gazetares lirinë. Kabas u arrestua pak orë më vonë në shtëpinë e saj, dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në burgun e grave në lagjen Bakirkoi të Stambollit. Gazetarja përballet tani me një dënim me burg që varion nga 1 deri në4 vjet për fyerje, një akuzë e përdorur shpesh për t’i mbyllur gojën kritikëve të presidentit turk.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, vetëm në vitin 2020 autoritete kanë ngritur më shumë se 31 mijë padi për shkelje të nderit dhe prestigjit të kreut të shtetit turk. Nga ana tjetër, Kabas nuk është gazetarja e parë që arrestohet pse guxoi të kritikojë presidentin apo figurat e tjera të pushtetit.

Sipas një raporti të përgatitur nga CHP, partia më e madhe opozitare turke, të paktën 31 gazetarë u arrestuan vitin e kaluar gjatë kryerjes së punës së tyre, ndërsa 105 iu nënshtruan dhunës apo kërcënimeve. Sipas të dhënave nga portali i pavarur turk i financuar nga “European Union Expression Interrupted”, deri më sot 58 gazetarë turq mbahen ende në burgje.

Trajtimi i gazetarëve nga qeveria turke, ka qenë prej vitesh në qendër të kritikave nga Gjykata Evropian e Drejtësisë (GJEDNJ), e cila në disa raste ka theksuar ekzistencën e problemeve serioze dhe shumëtë përhapura të respektimit të të drejtave të njeriut në sistemin gjyqësor turk.

Gjyqtarët e Gjykatës së Strasburgut janë ndalur mbi të gjitha tek mungesa e lirisë së shprehjes së mendimit, si dhe tek liria më e përgjithshme e mendimit, duke nxjerrë në pah problemin e mungesës së mbrojtjes,që konsiderohet si themelor në një shtet demokratik.

Çështja e Osman Kavala

Por duket se fjalët e gjyqtarëve të Strasburgut kanë pak peshë në Turqi. Dhe këtë gjë e tregon edhe rasti i Osman Kavala. Në mesin e muajit janar, gjyqtarët e seksionit të 13-të penal të Gjykatës së Stambollit, rikonfirmuan arrestimin e filantropit turk, i cili është ende në arrest në pritje të gjykimit, pavarësisht kërkesës për lirim të paraqitur që në dhjetorin e vitit 2019 nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Sipas GJEDNJ, nuk ka prova të mjaftueshme për të justifikuar arrestimin e Kavala, që po vuan shkeljen e së drejtës për liri dhe siguri, që të dyja këto të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për shkak të dështimit të Turqisë për të respektuar vendimin e GJEDNJ, Këshilli i Evropës e kishte njoftuar disa muaj më herët Turqinë mbi synimin e tij për të nisur procedurat e shkeljes së rregullit kundër Ankarasë, por deri më sot kërcënimet nuk kanë pasur asnjë efekt. Turqia kishte kohë deri të mërkurën për të justifikuar vendimin për zgjatjen e paraburgimit të Kavala, por ultimatumi nuk shkaktoi ndonjë shqetësim të veçantë.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian

Çështjet gjyqësore si ato që përfshijnë Kavala dhe Kabas, nënvizojnë edhe një herë mungesën e mbrojtjes reale të së drejtës së shprehjes së lirë të qytetarëve turq. Elementi themelor në një demokraci, mungesa e të cilit nxjerr në pah distancën midis Turqisë dhe shteteve evropiane (edhe pse me disa përjashtime).

E gjitha kjo e bën gjithnjë e më të vështirë anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian, çështje për të cilën Erdogan vazhdon të ketë një qëndrim të paqartë për arsye politike. Pas disa muajsh heshtje, presidenti iu rikthye kësaj çështje në janar të këtij viti, gjatë takimit me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ku deklaroi se anëtarësimi në union mbetet “një nga objektivat kryesorë strategjik të Turqisë”.

Megjithatë, sipas Erdogan, Ankaraja duhet të përballet me “sabotimin” e Greqisë dhe aleatëve të saj në procesin e integrimit evropian. “Ne shpresojmë që Evropa të braktisë lojërat e viteve të fundit, dhe të veprojë më me guxim për të zhvilluar më tej marrëdhëniet me Turqinë. Perspektiva e një strategjie të përbashkët afatgjatë, vlen shumë më tepër se frika dhe paragjykimet”- tha presidenti turk.

Shantazhi me emigrantët

Në këtë strategji përfshihet edhe çështja e emigrantëve. Turqia ka në territorin e saj gati 4 milionë refugjatë, kryesisht nga Siria, dhe vazhdon ta përdorë praninë e tyre si një instrument shantazhi kundër Brukselit.

“Pa angazhimin e Turqisë, sot Evropa dhe Siria do të përjetonin një situatë krejtësisht të ndryshme. Kriza e migracionit do të ishte shumë më e rëndë, do të kishte më shumë terrorizëm dhe destabilitet”-deklaroi së fundmi Erdogan në një fjalim.

Megjithatë sipas tij, Bashkimi Evropian nuk e ka shpërblyer siç duhet Turqinë, e cila po kërkon një ndihmë më të madhe ekonomike, për të vazhduar t’i mbajë në vend emigrantët sirianë. Ndërkohë kërcënimi për hapjen e kufijve e ka lejuar Turqinë që të veprojë e pa shqetësuar në Mesdhe, gjë që ka sjellë përkeqësimin e marrëdhënieve me Greqinë, e cila ndihet gjithnjë e më e kërcënuar nga ekspansionizmi turk në Ballkan.