Ka nisur në Gjykatën Kushtetuese seanca publike për shqyrtimin e çështjes për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Kjo është hera e parë që organi më i lartë i drejtësisë do të zhvillojë një proces shkarkimi ndaj kreut të shtetit.
Kuvendi përfaqësohet nga deputetja socialiste Klodilta Bushka. Kreu i shtetit nuk është i pranishëm vetë, por përfaqësohet nga këshilltari i tij ligjor, Bledar Dervishaj dhe Katrina Treska, drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Juridike në Presidencë.
“Presidenti i Republikës ka parashtruar një kërkesë paraprake e cila është administruar para fillimit të seancës gjyqësore në orën 09:35 në protokollin e Gjykatës Kushtetuese, dhe që ka të bëjë me vlerësimin që duhet të bëjnë gjyqtarët të shkaqeve për disa anëtarë të tjerë, pasi sipas vlerësimit të Presidentit këto shkaqe vënë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarëve dhe sipas ligjit detyrohen të heqin dorë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje”, tha Bledar Dervishaj në seancë.
“Në trupën gjyqësore aktuale ka gjyqtarë për të cilët ekzistojnë disa shkaqe që vënë në dyshim paanshmërinë e tyre”, u shpreh Dervishaj.
“Gjykata përbëhet sot nga 7 anëtarë, 6 prej të cilëve janë emëruar, zgjedhur pikërisht nga institucionet në konflikt Kuvendi dhe Presidenti, ndërsa anëtari i 7-të, kryetari është zgjedhur nga dy organet që prej vitit 2008 dhe sot është në vitin e 5-të të ushtrimit të detyrës përtej mandatit kushtetues. Dy prej gjyqtarëve aktualisht, me vendim të Gjykatës Kushtetuese u është deklaruar përfundimi i mandatit, që u përfundon më 2 maj dhe 8 prill 2022″, u shpreh ai.
“Qëndrimi në detyrë përtej mandatit me një kohëzgjatje 5-vjeçare që është përtej cdo arsyetimi logjik, krijohet një situatë që dukshëm vendos në dyshim pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që një shkak tjetër është fakti që presidenti Meta, pasi kryetarja ka shprehur interesin e saj për të kandiduar për kryetare të KLSH, më 5 nëntor e ka propozuar si kandidaturën më të mirë në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi nuk e ka pranuar propozimin dhe e ka refuzuar, duke anatemuar veprimtarinë e presidentit se po tentonte të bllokonte veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese”, tha këshilltari i Metës.