MENU
klinika

Basha akuza të rënda Berishës

“E sulmoi selinë barbarisht që PD-në t’ia dorëzonte Ilir Metës”

02.02.2022 - 13:14

Në një takim me anëtarët e degës 14 të Partisë Demokratike në kryeqytet, kryedemokrati Lulzim Basha foli për koalicionin mes Komisionit të Rithemelimit të PD dhe LSI-së për zgjedhjet e pjesshme vendore, të cilën e konsideron si “politika e vjetër”.

Basha u shpreh se përçarja mes demokratëve është bërë për t’i dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës.

Kryedemokrati hodhi akuza gjithashtu se protesta në selinë e PD u bë për të dorëzuar “shtëpinë e lirisë” tek Meta.

“Ju e dini që në 30 Qershor 2019-të nuk pati një proces normal votimi. Pati votime si në komunizëm, një parti që vetë votuan, vetë numëruan dhe iu desh 2 muaj për të nxjerr rezultatin, imagjinoni. Dhe prapë iu dolën 4-5 me rekorde kriminale, që kanë ikur. Dhe tani për shkak të këtyre, gjetën sebep për procesin e 6 Marsit. Shikoni si kanë dalë hapur, hapur fare. Atë që ua kam thënë, sa muaj ka që ua kam thënë?

Nuk bëhet fjalë për luftë, për parime, bëhet fjalë për hallin që i lidh bashkë. Halli që i lidh bashkë këta 3, është që janë mbetjet e tranzicionit 30-vjeçar. Halli që i lidh bashkë këta 3, është që shqiptarët e kanë kuptuar instrumentin e politikës së tyre të vjetër, që është premto, mos bëj, pastaj justifiko, gënje, e premto prapë. Ja, vijnë paketë. Paketë kanë ardhur të 3.

Këto ditë, e sotmja, e gjithë beteja, edhe sulmi, denigrimi që u është bërë demokratëve të ndershëm, si shumë prej jush në këtë sallë, drejtuesve, të gjithëve. S’po flas ndaj meje si kryetar i partisë, se vetë zgjodha t’i vija gjoksin kësaj, pikërisht që mos të futej përçarja përmes demokratëve apo deputetëve, zonjave, anëtarëve të kryesisë.

E gjitha kjo për çfarë paska qenë? Për t’i dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës?! Gjithë ajo skenë barbare atje e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve, për çfarë paska qenë? Që “shtëpia e lirisë” të kthehet në shtëpinë e Ilirit”, tha ndër të tjera kryetari i PD Lulzim Basha.