Arma e zjarrit kallashnikov e gjetur në banesën e 39-vjeçarit Edmond Përdoda, i cili u arrestua të premten nga forcat RENEA në Lezhë, si autor i dyshuar për një vrasje të dyfishtë, do të ekzaminohet në laboratorin e Policisë Shkencore, për të parë nëse është përdorur në ngjarjen e 27 prillit të vitit 2020 në fshatin Lalm Lukaj të Lezhës.
Referuar faktit se rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij, Preng Simoni, u gjetën të ekzekutuar me breshëri automatiku dhe arma e krimit nuk është gjetur ende, prokuroria nuk përjashton mundësinë që kallashnikovi i gjetur në shtëpinë e të dyshuarit mund të jetë përdorur në këtë krim të dyfishtë.
DËSHMIA Ashtu si vëllai i tij Aleksander Përdoda, i arrestuar menjëherë pas ngjarjes, gjatë marrjes në pyetje, edhe vetë Edmond Përdoda ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e dyfishtë në fshatin Lalm Lukaj.
Sipas burimeve, aktualisht arma e gjetur në banesë, municioni luftarak dhe një sasi baruti, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale po ndiqen si procedim penal i ri, por nëse ekzaminimet do të vërtetojnë se arma mund të jetë përdorur në vrasje, procedimi do të bashkohet me atë të vrasjes së ndodhur në prill të vitit 2020.
ARRESTIMI
Edhe pse ishte në kërkim prej dy vitesh, Edmond Përdoda duket se jetonte i qetë në banesën e tij deri të enjten e shkuar, kur forcat RENEA e arrestuan atë në oborrin e banesës, në fshatin Lalm i Ri, në periferi të qytetit të Lezhës.
“Afrohu, afrohu, rrotullohu mbrapsht” është kjo një sekuencë nga operacioni i forcave të RENEA-s në arrestimin e 39-vjeçarit, i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni policor i koduar “Lalm i Ri”, u finalizua pasditen e së enjtes, pas informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e të kërkuarit. Edmond Përdoda rezulton të jetë person me precedentë penalë, pasi rezulton i dënuar në shtetin grek për vrasje, ndërsa në Shqipëri për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, sepse dyshohet që në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin Aleksander Përdoda (i arrestuar me parë), kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Kol Murrani dhe Preng Simoni, ngjarje e ndodhur në muajin prill të vitit 2020, në fshatin Lalm Lukaj të Njësisë Administrative të Kolshit në Lezhë.
Edmond Përdoda po mbahet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Lezhë, në pritje për t’u njohur me masën e sigurisë në gjykatë, seancë e cila pritet të zhvillohet ditën e hënë.
Gjatë javës së shkuar, Prokuroria e Lezhës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm të 43-vjeçarit Aleksandër Përdoda, i akuzuar për vrasjen e dyfishtë, pasi dyshohet se viktimat kanë parë parcelat me kanabis që vëllezërit kishin mbjellë në fshatin e tyre të thellë malor.
Konkluzionet përfundimtare janë dhënë nga prokurori Françesk Ganaj dhe, sipas dosjes hetimore, është arritur të provohet se dy personat e vënë nën akuzë kanë lidhje me ngjarjen.
Përdoda akuzohet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” ndaj dy personave kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
Pas mbylljes së dosjes hetimore nga ana e prokurorisë, tanimë do të jetë pala mbrojtëse që do të paraqesë konkluzionet e saj në Gjykatë e më pas Gjykata e Lezhës do të marrë vendim në lidhje me këtë çështje.