MENU
klinika

“E kam kokën lart”

Flet babai i Saimir Tahirit: Ka punuar dhe ka sakrifikuar shumë…

09.02.2022 - 23:09

Bashkim Tahiri, babai i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri flet për herë të parë pas dënimit të djalit ditën e premte dhe që sot u transferuar në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin 3.4 vite burg.

Në një intervistë ekskluzive për “5pyetjet.al”, ai u shpreh se ndihet keq për dënimin, por edhe krenar për djalin, pasi sipas tij nuk i ka shkelur njeriu në kallo dhe nuk është implikuar për akuzat që u ndëshkua.

“Si çdo prind, ndihem keq. Është fare logjike kjo punë, çdo prindi edhe sikur t’i rrëzohet fëmija në trotuar do të ndihet shumë keq. Kjo ka edhe një gjë pastaj, unë jam me kokën lart, se në fund të fundit, ai ka punuar dhe sakrifikuar shumë, nuk i ka hyrë asnjë njeriu në hak.

Nuk ka shkelur njeri në kallo, nuk ka vjedhur njeri, nuk ka vrarë njeri. Absolutisht nuk është marrë me këto veprimtari negative. Kështu që ashtu sikur ndihem keq, ndihem edhe krenar, pasi nuk i kemi bërë keq asnjë njeriu. Dhe aq më tepër që ai ka kontribuar shumë si për PS-në dhe policinë”, tha ai.

Pas dërgimit në qeli, Bashkim Tahiri tha se ka pasur komunikime me djalin, i cili i ka kërkuar familjes që të ruajnë qetësinë. “Po, kam komunikuar. Duhet të ruajmë veten që t’i ngremë moralin atij”, tha ai.

Pas dënimit të Saimir Tahirit, socialistët heshtën në media, por disa prej tyre, Bashkim Tahiri tha se e kishin telefonuar. “Mua më kanë marrë deputetë individualisht”.

Ish-ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i Tahirit përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por nuk kishte prova të mjaftueshme. Në Mars organi i akuzës zhvilloi seancën përballë Komisionit të Mandateve ku kërkoi heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Saimir Tahirit.

Në Maj të vitit 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.

Vendimi u ankimua dhe Gjykata e Apelit në Qershor të vitit 2020, e riktheu për rishqyrtim në Shkallë të Parë. Ankimimi i këtij vendimi në Gjykatën e Lartë, pasoi vitin e kaluar, me prishjen e atij vendimi për shkak të “shkeljeve procedurale” gjatë procesit, dhe rikthimin e çështjes sërish në Apel me një tjetër trupë gjykuese, e cila u shpreh të premten.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN