Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e bërë nga ish-kryebashkiaku i Lushnjës Fatos Tushe dhe vartësit e tij.
Tushe, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera” ndodhet prej muajsh në burg dhe kërkonte nga Gjykata e Lartë zbutjen e masës së sigurisë.
Gjykata vendosi mospranimin e rekurseve të paraqitura nga personat nën hetim Fatos Tushe , Flamur Peqini, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Bujar Murati kundër vendimit nr.24, datë 28.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
ARRESTIMI I FATOS TUSHES DHE ABUZIMI ME TENDERIN 24 MLN LEKË
Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe sëbashku me 8 zyrtarë të tjerë të bashkisë dhe 2 biznesmenë u arrestuan më 6 korrik me urdhër të SPAK nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe përfshirjes në një tender abuziv.
Bëhet fjalë për një tender prej 24 milionë lekësh të rinj për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethem dhe Bitaj të Njësisë Administrative Kolonjë. Tenderi për këtë vepër është hapur më 23 korrik të vitit 2020 me një fond limit prej 23 251 341.00 lekësh, me procedurë të hapur. Sipas të dhënave të tenderit, i cili është mbyllur në fund të muajit gusht të vitit të shkuar, në garë kanë marrë pjesë tri kompani, përfshirë edhe kompaninë “Euro Alb SHPK”, me pronar Bujar Muratin.
Kompania e Muratit u shpall fituese e tenderit në fjalë me fondin limit të vënë në dispozicion nga qeverisja vendore e Bashkisë Lushnjë. Nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, sipas SPAK, kompania “Euro Alb SHPK” arriti të fitojë tenderin e Bashkisë, i ndihmuar edhe nga zyrtarët lokalë. Kompania është themeluar në Bulqizë në vitin 2006 dhe ka një kapital prej 55 milionë lekësh të rinj, ndërsa aktiviteti i saj është në fushën e ndërtimit.
Në krye të skemës së abuzimit ishte Flamur Peqini, drejtori i Ndërmarrjes së Pasurive Publike dhe ish-kreu i Inspektoratit të Ndërtimit në Lushnjë, si dhe zyrtarët nën varësi të tij. Nga përgjimet, vëzhgimet në terren dhe kontrollet e transaksioneve, ka rezultuar që zyrtarët e këtij institucioni, paratë e tenderëve i kalonin në mënyrë fiktive te kompanitë private. “Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me metodat tradicionale të hetimit”, thuhet në një deklaratë të SPAK.
Përveç pronarit të kompanisë “Euro Alb SHPK”, Bujar Murati, në pranga përfundoi edhe biznesmeni Ibrahim Lami, administrator i kompanisë “Loti shpk”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve” kryer në bashkëpunim. Kompania në fjalë, sipas dokumenteve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, e ka bazën në zonën e FushëKrujës dhe është themeluar në vitin 2003. Sipas ekstraktit në QKR, ajo merret me ushtrimin e veprimtarisë tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë të një sërë mallrash përfshirë edhe grumbullimin e bimëve mjekësore. Ndërsa ende nuk dihen akuzat konkrete që rëndojnë mbi të. Tushe është një ndër zyrtarët më të lartë në detyrë të arrestuar deri më tani nga SPAK.