MENU
klinika

“S’kanë arritur asnjë prej objektivave të tyre”

Inteligjenca amerikane: Rusët kanë “ngecur” në Ukrainë

26.02.2022 - 17:48

“Rusët janë shumë të frustruar për çfarë po ndodh në Ukrainë pasi deri më tani nuk kanë arritur asnjë prej objektivave parësorë të tyre”.

Kjo është çfarë raporton korrespondenti i “ForeignPolicy” Jack Detsch në Pentagon.

Sipas tij, inteligjenca amerikane nuk ka të dhëna që tregojnë se rusët kanë marrë nën kontroll ndonjë qytet gjatë tre ditëve të para të sulmit ndaj Ukrainës apo të kenë arritur kontroll absolut të qiellit.

Gjithçka ndodh teksa Kievi dhe qytetet e tjera të Ukrainës janë nën bombardimin e vazhdueshëm të forcave ruse, ndërkohë që autoritetet ukrainase raportojnë për më shumë se 3 000 rusë të vrarë, 80 tanke dhe më shumë se 500 mjete të tjera të shkatërruara.

Rezistenca e ukrainasve duket e fortë, ndërkohë që rusët po hasin mungesa në furnizime me ushqime dhe karburant.

Aktualisht, rusët po tentojnë të marrin Kievin duke synuar fillimisht rrethimin e tij. Forcat ruse ndodhen pak kilometra nga Kievi, ndërkohë që në jug kanë avancuar më shumë duke marrë tashmë qytetin e Melitopolit. Në në very-lindje janë përreth Kharkivit, kurse në lindje nuk shihet ndonjë avancim i dukshëm përtej linjës së kontaktit me rebelët pro rusë.

Më herët, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmitry Kuleba u bëri një thirrje të fortë ndaj grave, nënave dhe vajzave të Rusisë. Përmes postimit të fotos së disa ushtarëve rus të kapur në Ukrainë, Kuleba shprehet se ata nuk do t’i presin rusët me lule, prandaj nënat, gratë dhe vajzat ruse t’u bëjnë thirrje të tërhiqen nga vendi.

“Nëna, gra dhe vajza të ushtarëve rusë! Merrni burrat tuaj në shtëpi. Ata erdhën në një tokë të huaj për të vrarë njerëz të pafajshëm, për të shkatërruar shtëpitë tona. Qeveria juaj po gënjen. Populli i Ukrainës i pret me armë, jo me lule. Kërkoni nga autoritetet të ndalojnë luftën pushtuese, shpëtoni të dashurit tuaj!”, shkruan Kuleba në Twitter.