MENU
klinika

Ndodhia me Ismailin!..

Kakuja ikën nga kjo botë…

11.02.2022 - 15:20

         Ismail Kadare, humbi mbrëmjen e kaluar të motrën, Kadrije Kadare, e cila, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 85-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga poeti Sadik Bejko, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Sot në moshën 85 vjeç është ndarë nga jeta Kadrije Kadare. Ajo ishte një grua me arsimim të lartë, me kontribute si mësimdhënëse, lektore në Universitet. Ajo ka një kontribut të pavërejtur si korrektore e veprës së Ismail Kadaresë.

Ka punuar dhe në disa nga gazetat me të rëndësishme në këto vite të tranzicionit. Korrektore në gazetat ”Albania”, ”Shekulli”, ”55”, ”Panorama”, ”Rilindja Demokratike”, ”Mapo” etj.

Kadrie Kadare, e njohur ndryshe në rrethin e ngushtë si Kakuja, ishte mjaft e ”famshme” jo vetëm për faktin se ishte motra e shkrimtarit të madh, por edhe si “tipi” që tërhiqte vëmendjen.

Gjithmonë një qenie e lirë, që nuk ngjante me gratë e kohës së vet. Politikisht e lirë. Madje, kishte vendosur në një rast në pozitë të vështirë edhe të vëllain, i shquar gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës, duke folur “mbarë e mbrapsht” për këtë të fundit, gjë që atë kohë ishte një gjë që mund të të kushtonte shumë.

Rrezikoi kokën e vet, por edhe të të tjerëve. Dhe kjo e ka bërë Ismail Kadarenë t’i shkruajë një letër Enver Hoxhës, të parën e të fundit që ai i ka dërguar diktatorit, në të cilën e justifikon motrën, duke thënë se “ajo nuk është antikomuniste; është thjesht e çmendur”. Shkrimtari i njohur e ka rrëfyer këtë ngjarje në më shumë se një rrethanë.

Më poshtë, një pjesë e intervistës e tij, më 2017 (për Balkanweb):

– Zoti Kadare, në media qarkullon një letër, që ju i keni dërguar Enver Hoxhës, më 1980. Është e vërtetë kjo letër? I keni dërguar letra të tjera diktatorit?

Kjo është një letër e vërtetë, shkruar me dorën time. Madje, është faksimile e vetme. Është shkruar më 1980 dhe është letra e vetme që i kam dërguar në jetën time Enver Hoxhës. Unë, në fakt, prisja nga hapja e dosjeve një trajtim më serioz të një çështjeje të tillë. Ç’domethënë trajtim serioz? Do të thotë që shtypi, që e nxjerr një letër të tillë, duhet të japë një sqarim minimal për të. Është i rëndësishëm si dokument, sepse është letra e një shkrimtari të njohur, e vetmja drejtuar sunduesit të vendit dhe botohet, si rastësisht, pa asnjë informacion sqarues.

– Pse e shkruat këtë letër? Çfarë ndodhi, që e shkruat?

Kjo letër është shkruar pasi më kanë thirrur në Komitetin Qendror për të më njoftuar se “motra juaj do të ishte sot në burg, po të mos ishte motra juaj”. Më është thënë se shoqet e saj, një grup shoqesh, janë të gjitha në burg. U thashë se nuk di asgjë. I pyeta pse. Më thanë se flisnin kundër regjimit e, veçanërisht, kundër Enver Hoxhës. Sigurisht që unë në familje nuk bëja biseda të rrezikshme, sidomos me motrën, duke e ditur tipin e saj. Por, kurrsesi nuk e kisha për zakon të flisja për çështje delikate, sepse do kisha marrë veten më qafë shumë vite përpara. Nuk u hodha përpjetë të thosha “jo, janë shpifje”. Dhashë të kuptoj që e merrja me mend që kishte ndodhur kjo gjë, përderisa ishin të gjitha në burg, me përjashtim të motrës sime. Më duket se kam pyetur se sa kohë ka që hetohet dhe më është thënë se hetimi vazhdon prej shumë kohësh. Mora vesh se motra ime ka qenë në hetim për një kohë të gjatë dhe mua s’më ka treguar asgjë.

– Ju nuk e dinit se motra juaj hetohej? Si u ndjetë dhe si reaguat kur e morët vesh?

Vetvetiu pata një ndjesi të keqe për këtë lloj papërgjegjshmërie të një anëtari të familjes, që merr nëpër gojë Enver Hoxhën për gjëra të rrezikshme, duke qenë motra ime. Ka qenë prej saj një mungesë përgjegjshmërie e plotë. Ndaj, me gjakftohtësi, nuk kundërshtova, as nuk thashë asgjë tjetër. Siç e kam shkruar në letër, u thashë “trembeni”. Vete unë i kërkova të mos vinte më në shtëpinë time, meqë ajo hetohej prej kohësh dhe as, së paku, nuk më lajmëroi që të kisha kujdes.

– Është thënë se e keni dëbuar motrën. Si është e vërteta?

Është spekuluar në këtë pikë, pasi unë nuk e kam dëbuar nga shtëpia. Nuk kisha si ta dëboja, kur nuk jetonte me mua, kishte shtëpinë e vet e ajo vinte te unë siç shkon motra te vëllai.

– Për çfarë hetohej motra juaj, çfarë kishte thënë?

E pyeta motrën çfarë kishte ndodhur. Mezi më tregoi diçka. Unë u konsultova me një mikun tim. Më tha se ishte shumë e rrezikshme të flitej për Hoxhën, varej çfarë flitej. Motra nuk më tregoi detaje. I thashë: “Pse s’më ke treguar se shoqet e tua janë në burg? Pse s’më ke thënë, që je thirrur në hetuesi?” E pyeta se çfarë kishte thënë për Enver Hoxhën, por nuk më tregonte. Nuk e di mirë as tani.

– Ishte për ju një problem me sistemin dhe një problem brenda familjes. Çfarë thuhej për E. Hoxhën e për çfarë kishit frikë?

Shikoni, kur thuhej për Enver Hoxhën diçka tepër e rrezikshme dhe delikate kishte disa probleme. Ishin gjëra që edhe vetë ata kishin frikë t’i trajtonin me njëri- tjetrin, sepse u ikte koka. E kjo ka ndodhur disa herë. Këtu ishte djallëzia: për Enver Hoxhën thuheshin lloj-lloje thashethemesh dhe më të rrezikshmet ishin ato që kishin lidhje me figurën morale të tij. Shumë njerëz janë pushkatuar, nuk u gjendet varri dhe nuk u gjenden kockat, për arsye që nuk e di njeri e nuk e thotë njeri.

E dinte vetëm ai, kur e nuhaste, kur e merrte vesh se po flisnin për “atë” gjë ose për “këtë” gjë. Këtu është një nga sekretet më të ndyra të diktaturës shqiptare.