MENU
klinika

"Do hyjmë dhe në grevë urie para Kryeministrisë"

Katër grupe qytetarësh mblidhen në protestë tek Parlamenti

03.02.2022 - 11:35

Pak para nisjes së seancës plenare këtë të enjte, katër grupime qytetarësh nga Tirana janë mbledhur për të protestuar dhe me shpresën se deputetët që do të paraqiten në Parlament, t’i dëgjojnë kërkesat e tyre.

Në protestë janë banorët e zonës së 5 Majit, të zonës së Laprakës dhe njëherazi banorët e Kodrës së Priftit dhe të Paskuqanit.

Sot ata janë bashkuar në një protestë para Parlamentit dhe kërkojnë transparencë për projektin që po zbatohet, i cili prek interesat e tyre.

Qytetarët po kërkojnë shpjegime për shtëpitë që po u prishen nga projektet infrastrukturore dhe duan të dinë ku do të jetojnë.

Sipas banorëve në asnjë prej katër territoreve ku po ndodhin prishjet e banesave, nuk është rënë në ujdi me ta e nuk janë kryer bisedime.

Banorët kërkojnë marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës përmes noteriozimit e tapisë në dorë.

Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk gjendet një zgjidhje për kërkesat e tyre, do të hyjnë edhe në grevë urie para Kryeministrisë.

Një nga banorët e zonës së 5 majit tha për News 24:

“Këta parlamentarët tanë të futen te bashkia të bisedojnë për një lehtësim të na lidhin një kontratë të ligjshme jo një kontratë që e ka shkruar bashkia, të premtoj një të ardhme thotë bashkuia, ajo është kontratë e njëanshme dhe korruptive.

Këto parlamentarët të na bëjnë ndërmjetësim, bonusi i qirasë është qesharak 180 mijë lekë, ndërsa të zona ime është një shtëpi 250 mijë lekë, po presim ishalla reagojnë.

Nëse sot s’janë shumë njerëz, që me atë rrogë hanë bukë, s’mund ta lenë punën ka mundësi të shkojmë dhe para Kryeministrisë të bëjmë grevë urie se s’kemi ca bëjmë kjo është e fundit”.