MENU
klinika

Përfiton edhe Shqipëria

KE paketë investimesh prej 3.2 mld eurosh në Ballkan

25.02.2022 - 14:53

Komisioni Evropian bëri të ditur një paketë të konsiderueshme investimesh prej 3.2 miliardë eurosh për të mbështetur 21 projekte të transportit, digjitalizimit, klimës dhe ndërlidhjes së energjisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është paketa e parë e madhe e projekteve në kuadër të Planit ambicioz Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të cilin Komisioni e miratoi në tetor 2020. Projektet janë krijuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë partnerët në rajon.

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, tha se me këtë paketë të madhe investimesh ne po përshpejtojmë zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor në terren.

“Ne i kemi identifikuar këto projekte të mëdha në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Ndërlidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, në infrastrukturën digjitale dhe në energjinë e rinovueshme do të nxisin ekonominë, do të çojnë përpara tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit, si dhe do të sjellin një numër mundësish për njerëzit dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE-në. Këto investime do të përshpejtojnë gjithashtu integrimin e rajonit, në përputhje me perspektivën e tij të qartë evropiane”.

Gjatë viteve të ardhshme, Plani Ekonomik dhe i Investimeve do të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, si një kombinim i granteve, kredive preferenciale dhe garancive. Plani do të ndihmojë për mbylljen e hendekut të zhvillimit mes Bashkimit Evropian dhe rajonit, si dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Plani do të ndihmojë gjithashtu për zbatimin e strategjisë më të gjerë të BE-së “Global Gateway”, që nisi në dhjetor 2021.