MENU
klinika

Kriza në Ukrainë

Kina nuk do të rrezikojë për të shpëtuar Rusinë

11.02.2022 - 09:01

Në mosmarrëveshjen e saj me Perëndimin në lidhje me situatën në Ukrainë, Rusia ka qartë një aleat të rëndësishëm, Kinën. Por Pekini nuk do të bëjë lëvizje që do të destabilizojnë rimëkëmbjen e brishtë ekonomike të vendit.

Sipas analistëve, lidhjet diplomatike dhe ushtarake të Moskës me Pekinin mund të jenë të ngushta, por marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë shumë më të komplikuara. Që do të thotë se mbështetja më e mundshme për Rusinë nga Kina, në rast të sanksioneve financiare nga SHBA-ja dhe Europa ka të ngjarë të jetë në termat e mbështetjes dhe ndihmës.

Presidenti rus Vladimir Putin u takua me homologun e tij kinez Xi Jinping të premten e kaluar me rastin e ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore. Kremlini e përshkroi takimin miqësor dhe konstruktiv, pasi të dy udhëheqësit ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin e tyre, sipas agjencisë kineze të lajmeve Xinhua.

Në fakt, Rosneft, gjiganti rus i naftës ka rënë dakord të rrisë furnizimet në Kinë gjatë dekadës së ardhshme. Autoritetet perëndimore e dinë se sanksionet do të jentë të larta edhe për Kinën. Muajin e kaluar, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken paralajmëroi Pekinin se një pushtim i Ukrainës do të shkaktonte rreziqe ekonomike që mund të dëmtojnë gjithashtu Kinën, raporton abcnews.al

Kina po përpiqet të rrisë ekonominë e saj, gjë që mund ta bëjë më të vështirë për Pekinin të thellojë lidhjet me Moskën apo edhe të përmbushë premtimet që ka bërë tashmë, siç është një marrëveshje e fundit për të rritur tregtinë Kinë-Rusi në 200 miliardë dollarë deri në vitin 2024, afërsisht 50 miliardë dollarë në vit më shumë se tani.

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që ekonomia e Kinës të rritet me vetëm 4.8% këtë vit, nga 8% në vitin 2021. Një krizë e pasurive të paluajtshme dhe shpenzimet e ulta të konsumit po zvarritin normat e rritjes.

Sipas analistëve, një krizë e përshkallëzuar në Ukrainë do të trondiste tregjet e energjisë dhe metaleve, duke rënduar kështu ekonominë globale.