MENU
klinika

''Shërbëtori i popullit''

Komediani u bë President, Presidenti u bë hero!

27.02.2022 - 15:23

        Teksa Volodimir Zelenski rritej në Ukrahinën juglindore, familja e tij hebreje fliste rusisht, ndërsa ende i ri, i ati e ndaloi për të shkuar me studime Izrael. Për këtë arsye, zoti Zelenski studioi për jurisprudencë në Ukrahinë. Pas diplomimit, ai gjeti një profesion të ri në fushën e aktrimit dhe komedisë, duke arritur që në vitet 2010 të bëhej një nga personazhet kryesore të skenës në Ukrainë, me serialin televiziv “Shërbëtori i popullit”.

Në këtë film serial, ai luajti rolin e një mësuesi të shkollës së mesme, që ishte lodhur me politikanët e korruptuar dhe që, aksidentalisht, bëhet president.

Vetëm pak kohë pas serialit, Zelenski është bërë me të vërtetë president i Ukrahinës. Gjatë periudhës përpara sulmit rus, komediani tanimë burrë shteti, dukej herë pas here i paqëndrueshëm, duke e kritikuar Perëndimin, një ditë se përhapte panik dhe ditën tjetër, se nuk kishte bërë mjaftueshëm. Por, trimëria e tij dhe refuzimi për t’u larguar, ndërkohë që raketat binin mbi kryeqytetin, e shndërruan atë në një heroin e ditës në mbarë botën.

Me kurajo, humor dhe fisnikëri, megjithëse i gjendur nën sulm ushtarak, ai ka bashkuar popullin e tij dhe ka impresionuar homologët e tij perëndimorë. Ish-aktori 44-vjeçar, me flokë të errët dhe jo shumë shtatlartë, vazhdon të qëndrojë megjithëse thotë se, sulmuesit rusë e kanë vënë në shënjestër.

Pas një oferte nga Shtetet e Bashkuara për ta larguar drejt një vendndodhjeje më të sigurtë, zoti Zelenski u përgjigj të shtunën: “Kam nevojë për municion, jo për transport”. Sipas një zyrtari të lartë të zbulimit amerikan që ka dijeni të drejtpërdrejtë të bisedës së zhvilluar, ai e dha madje përgjigjen në gjuhën ukrainase.

Forcat ruse po rrethonin të shtunën Kievin, në ditën e tretë të luftës. Objektivi kryesor i tyre, thonë vëzhguesit ushtarakë, është që të arrijnë në kryeqytet për të larguar nga pushteti zotin Zelenski dhe qeverinë e tij, dhe për ta zëvendësuar me një person më të pajtueshëm me Presidentin rus Vladimir Putin.

Guximi i qëndrimit të Zelenskit në mbrojtje të sovranitetit të Ukrahinës ndoshta nuk pritej nga një person dobësia më e madhe politike e të cilit ishte prej vitesh ndjesia se ishte shumë i prirur për kompromise me Moskën. Ai bëri fushatë elektorale me premtimin se mund të negocionte paqen me Rusinë, e cila kishte ankesuar Krimenë nga Ukrahina dhe u dha formë dy rajoneve separatiste proruse në vitin 2014, duke shkaktuar një konflikt të ngrirë që mendohet se mori jetët e 15 mijë personave.

Megjithëse zoti Zelenski arriti të realizojë një shkëmbim të burgosurish, përpjekjet për pajtim u lëkundën për shkak se këmbëngulja e zotit Putin që Ukrahina t’i largohej Perëndimit u bë edhe më intensive, duke e paraqitur qeverinë në Kiev, si një çerdhe ekstremistësh të drejtuar nga Uashingtoni.

Zoti Zelenski e ka shfrytëzuar historinë e tij për të provuar se, vendi i tij është një vend mundësish dhe jo një shoqëri e mbushur me urrejtje, siç e paraqet imagjinata e zotit Putin.

Megjithë historinë e errët të Ukrahinës të antisemitizmit, që shekuj më parë me pogromet e Kozakëve, si edhe më pas me bashkëpunimin e disa nacionalistëve antisovjetikë me gjenocidin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ukrahina, me zgjedhjen e zotit Zelenski në vitin 2019, u bë i vetmi vend, përveç Izraelit, me një president dhe kryeministër hebrenj. (Gjyshi i zotit Zelenski, kishte luftuar në ushtrinë sovjetike kundër nazistëve, ndërsa familjarë të tij vdiqën në Holokaust.)

Ashtu si edhe personazhi që ai interpretonte në televizion, zoti Zelenski erdhi në detyrë me një fitore dërrmuese në zgjedhje ndaj një biznesmeni miliarder. Ai premtoi të eliminonte pushtetin e oligarkëve të korruptuar që kontrollonin Ukrahinën, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.

Ardhja në pushtet e këtij të panjohuri politik që bëri fushatë kryesisht në mediet sociale, ka shumë gjasa ta ketë shqetësuar zotin Putin, i cili, gradualisht ka zbutur dhe shtypur opozitën e tij politike në Rusi.

Rivali kryesor politik i presidentit rus, Alexei Navalny, u helmua nga shërbimet sekrete ruse në vitin 2020, me një agjent nervor. Ai po luftonte ME jetën, kur u lejua nën presionin diplomatik ndërkombëtar, të nisej për në Gjermani për trajtim mjekësor dhe pasi mjekët e shpëtuan, ai zgjodhi të kthehej në Rusi, pavarësisht nga rreziku që e priste.

Zoti Navalny, që aktualisht është i burgosur në Rusi, ka denoncuar operacionin ushtarak të zotit Putin, në Ukrahinë.

Si Presidenti Zelenski edhe zoti Navalny, duket se ndajnë idenë se ata duhet t’u bëjnë ballë pasojave, për bindjet e tyre, cilatdo qofshin ato.

“Është një përvojë e frikshme të shkosh të takosh presidentin e një vendi fqinj, kolegun tënd, për ta mbështetur atë në një situatë të vështirë (dhe) dhe dëgjon atë të të thotë se mund jetë hera e fundit që e takon, sepse do të qëndrojë aty, për të mbrojtur vendine tij”, tha të premten, Presidenti polak, Andrzej Duda.

Ai u takua me zotin Zelenski, të mërkurën, pak para fillimit të luftimeve, një nga shumë udhëheqësit politikë që u takuan me Presidentin ukrahinas gjatë muajit të kaluar, përfshirë Nënpresidenten e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris.

Emri i zotit Zelenski u bë i njohur për herë të parë për shumë amerikanë gjatë administratës së ish-Presidentit Donald Trump, i cili në një telefonatë me presidentin ukrainas në vitin 2019 i kërkoi atij të gjente informacion të pafavorshëm për kandidatin e atëhershëm presidencial Biden dhe djalin e tij Hunter që mund të ndihmonte zotin Trump në fushatën zgjedhore. Ajo telefonatë “e përkryer”, siç e quajti zoti Trump më vonë, rezultoi në hapjen e procesit për shkarkimin e zotit Trump nga Dhoma e Përfaqësuesve, nën akuzat për shpërdorim detyre dhe për përpjekjen për të mos akorduar 400 milionë dollarë në ndihmë të autorizuar ushtarake për Ukrainën, për përfitime personale politike.

Presidenti Zelenski refuzoi të kritikonte telefonatën e zotit Trump, duke thënë se nuk donte të përfshihej në politikën e një vendi tjetër.

Presidenti Putin e justifikoi sulmin ndaj Ukrahinës duke thënë se e kishte ndërmarrë për të mbrojtur dy rajone separatiste në Ukrahinën lindore, nga “gjenocidi”.

Ndërsa mediat ruse e paraqesin në këtë dritë vendin e tij, zoti Zelenski regjistroi një mesazh për qytetarët rusë për të hedhur poshtë idenë se Ukrahina është agresori dhe se ai po nxit luftën: “Po ju thonë, se kam urdhëruar një ofensivë në Donbas, për të qëlluar, për të bombarduar dhe se nuk ka dyshim që kjo po ndodh. Por ka pyetje dhe shumë të thjeshta. Kë po qëllojmë, çfarë po bombardojmë? Donjetskun?”

Duke përmendur vizitat dhe miqtë e tij të shumtë në atë rajon, ai tha: “Është toka jonë, historia jonë. Për çfarë do të luftojmë dhe me kë?”

I parruar dhe i veshur në ngjyrë të gjelbër, ai ka regjistruar edhe mesazhe të tjera për bashkatdhetarët e tij në internet në ditët e fundit për të forcuar moralin dhe për të theksuar se ai nuk do të shkojë askund, por do të qëndrojë për të mbrojtur Ukrainën.

“Ne jemi këtu. Lavdi Ukrahinës,” deklaron ai.

Në prag të pushtimit rus, Presidenti Zelenski ishte kritik ndaj paralajmërimeve të hapura dhe të detajuara të Presidentit Joe Biden për synimet e zotit Putin, duke thënë se ato ishin të parakohshme dhe mund të shkaktonin panik. Më pas, pasi filloi lufta, ai e ka kritikuar Uashingtonin se nuk ka bërë më shumë për të mbrojtur Ukrahinën, duke përfshirë mbrojtjen e saj ushtarakisht ose përshpejtimin e ofertës së saj për t’u bashkuar me NATO-n.

Zoti Zelenski dhe gruaja e tij, Olena, arkitekte, kanë një vajzë 17-vjeçe dhe një djalë 9. Ai tha këtë javë, se ata janë në Ukrahinë, duke mos iu bashkuar eksodit të refugjatëve, kryesisht gra dhe fëmijë që kërkojnë siguri jashtë vendit.

“Lufta e ka transformuar ish-komedianin, nga një politikan lokal, me iluzione madhështie, në një burrë shteti mirëfilli,” – shkruante të premten Melinda Haring, pranë Qendrës për Eurazinë në Këshillin e Atlantikut.

Megjithë kritikat se, nuk i ka ndërmarrë aq shpejt sa ç’duhet reformat politike dhe se nuk e forcoi me shpejtësinë e duhur kufirin e gjatë të Ukrahinës me Rusinë, gjatë vitit të kaluar, – tha zonja Haring, – ”Zelenski, ka treguar vendosmëri. Ai ka demonstruar guxim të madh, ka refuzuar të fshihet në vendstrehime, duke zgjedhur të qarkullojë hapur me ushtarët dhe një patriotizëm të palëkundur, që jo shumë vetë e prisnin nga dikush rusishtfolës prej Ukrahinës lindore.”

“E meriton, ka qenë i palëkundur.”

 

 

‘Associated Press’/Konica.al