MENU
klinika

Çmimi i karburantit

Konfindustria: Rritja e përsëritur tregon se ka monopol

04.02.2022 - 12:56

Teksa çmimi i naftës, benzinës dhe gazit janë rritur kjo ka sjellë edhe shqetësim tek shumë ekspertë ekonomik. Përmes një deklarate sot Konfindustria kërkon ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar se çfarë ndodh në treg.

“Duke marrë shkak nga rritja e fundit në nivele historike e çmimit të karburanteve dhe energjisë elektrike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Parlamentar për hetimin e shkaqeve dhe rolin e munguar të institucioneve ekzekutive dhe rregullatore përgjegjëse. Kriza e çmimeve dhe cilësisë së karburanteve i bashkëngjitet krizës së energjisë të vitit 2021, me pasoja të shkatërruese afatgjata për ekonominë kombëtare dhe qytetarët shqiptarë. Konfindustria vlerëson me shqetësim, se përplasjet e ashpra politike e kanë lënë të papërfaqësuar mbrojtjen e interesit publik edhe në çështje me rëndësi thelbësore, sikurse është edhe kriza e karburanteve dhe energjisë elektrike”, thuhet në deklaratë.

Konfindustria vlerëson se krijimi i komisionit hetimor parlamentar “bëhet domosdoshmëri nga dështimi i qartë dhe i vazhdueshëm i politikave ekzekutive dhe agjencive rregullatore në tregjet strategjike të karburanteve dhe energjisë elektrike, me tipare të qarta të pranisë së korrupsionit të nivelit më të larte të “kapjes së shtetit/state capture”.

“Rritja e njëkohshme dhe e përsëritur e çmimeve është tregues i qartë i pranisë së karteleve, monopoleve dhe oligopoleve në tregun më të madh të vendit me mbi 10% të PBB dhe afër 1.5 miliard $ qarkullim vjetor. Ngjashëm paraqitet edhe tregu i energjisë elektrike dhe keqmenaxhimi i vazhdueshëm i KESH, që u shfaq skajshëm gjatë vitit 2021 dhe në vazhdim. Shqipëria prej kohësh ka cmimet më të larta dhe cilësinë më të dobët në rajon dhe më gjerë të karburanteve. Në rast të mosndryshimit të politkave të deritashme shtetërore çmimet e karburanteve dhe energjisë rrezikojnë të rriten më tej”, shprehet Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN