Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia do të takohen sot pa kushte, në një përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur.
Vendimi i Ukrainës për të marrë pjesë në bisedime me palën ruse erdhi pas bisedës telefonike që Presidenti Zelenksyy pati me Presidentin bjellorus, Lukashenko, i cili negocioi mbajtjen e këtij takimi në Minsk. Por menjëherë pasi Ukraina pranoi takimin me palën ruse, Presidenti Vladimir Putin kërcënoi botën me urdhrin e tij për të vendosur forcat bërthamore ruse në gatishmëri të nivelit të lartë, siç u shpreh ai, për shkak të “deklaratave agresive nga udhëheqësit e NATO-s dhe sanksioneve ekonomike kundër Moskës”. “Siç e shikoni, vendet perëndimore jo vetëm që kanë marrë masa jomiqësore kundër vendit tonë në sektorin ekonomik, siç janë sanksionet e paligjshme, por zyrtarët e lartë të vendeve kryesore të NATO-s kanë bërë komente agresive ndaj vendit tonë”, tha Presidenti Putin të dielën gjatë një fjalimi televiziv. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar ushtrinë që të vendosë forcat parandaluese të Rusisë – referencë për njësitet që përfshijnë krahun bërthamor – në gatishmëri të lartë, duke cituar ato që i ka konsideruar deklarata agresive të liderëve të NATO-s, dhe sanksionet ekonomike kundër Moskës, transmeton agjencia e lajmeve “Reuters”. “Siç mund ta shihni, jo vetëm shtetet e Perëndimit marrin masa jomiqësore kundër shtetit tonë në dimensionin ekonomik – dua të them sanksionet ilegale që të gjithë i dinë – por edhe zyrtarët e lartë të NATO-s ia lejojnë vetes të bëjnë deklarata agresive sa i përket shtetit tonë”, ka thënë Putin për televizionin shtetëror.
TAKIMI
Presidenti ukrainas, Volodomir Zelenksyy, bëri të ditur rezultatet e bisedës së tij me Presidentin bjellorus, Lukashenko, mbi konfliktin në Ukrainë dhe pushtimin rus ndaj vendit të tij. “Rezultati i bisedës me Alexander Lukashenko: ne kemi rënë dakord që delegacioni ukrainas të takohet me rusët pa kushte paraprake në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, në zonën e lumit Pripyat. Alexander Lukashenko mori përgjegjësinë për faktin se në momentin e nisjes së negociatave dhe kthimit të delegacionit ukrainas, të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e vendosura në territorin bjellorus do të qëndrojnë në terren”, shkruan në “Facebook”-un e tij Zelenskyy. Presidenti ukrainas tha në një deklaratë të shkurtër televizive se ai nuk pret shumë nga një takim midis delegacioneve ukrainase dhe ruse të hënën. “Do të them sinqerisht, si gjithmonë: nuk besoj shumë në rezultatin e këtij takimi, por le të provojnë. Në mënyrë që asnjë qytetar i Ukrainës të mos ketë dyshim se unë, si President, nuk u përpoqa ta ndaloja luftën kur ekzistonte qoftë edhe një shans i vogël”, tha Zelenskyy.