MENU
klinika

Ç’pritet të ndodhë

KQZ vendos sot për koalicionet e 6 marsit

03.02.2022 - 11:17

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar 11 parti për zgjedhjet në 6 bashki, duke i certifikuar ato si pjesëmarrëse në zgjedhjet e 6 marsit.

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, pas miratimit të akteve të propozuara, lexoi emrat e 11 partive, 1 më pak se numri i atyre që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

Konkretisht, bëhet fjalë për 11 subjekte politike: PS, PD, LSI, LRE, PKDSH, PDK, PRDSH PBD, PLL, PBKD, që do të garojnë për kryetarët e 6 bashkive, si Durrës, Vorë, Shkodër, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë.

“Meqenëse jemi dakord me projekt-aktet e propozuara, i miratojmë. Miratohet regjistrimi si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022 i Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Lëvizja e Re, Fryma e Re Demokratike, Partia KristianDemokrate, Partia Demokristiane, Partia Reforma Demokratike e Shqipërisë, Partia Bashkimi Demokrat, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar Demokrat”, tha Celibashi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lënë 24 orë afat për regjistrimin e koalicioneve, ku i vetmi koalicion i deklaruar deri më tani është ai mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Komisionit të Rithemelimit.

Por sot pritet që LSI të dorëzojë pranë KQZ-së kërkesën për regjistrimin e koalicionit të saj për zgjedhjet e 6 marsit në 6 bashki të vendit.

Kjo kërkesë pritet të rrëzohet nga KQZ për arsye se nuk ka asnjë parti të regjistruar me emrin “PD-Komisioni i Rithemelimit” apo vetëm “Komisioni i Rithemelimit”.

Sipas Rregullores së KQZ-së, një koalicion nuk mund të regjistrohet si i tillë nëse subjektet që janë pjesë e tij nuk janë më parë të regjistruara si subjekte politike, pasi koalicioni formohet vetëm nga parti të regjistruara në gjykatë.

Mesa duket, koalicioni “LSI-Komisioni i Rithemelimit” në zgjedhjet e 6 marsit pritet të jetë i vetëm në “fushën e lojës”, por në fletën e votimit nuk do ketë koalicion dhe dy emra.

Sipas Rregullores, pritet që në fletën e votimit të shënohet vetëm emri i LSI-së.

Ndërkohë, ajo që bie në sy nga lista e subjekteve pjesëmarrëse dhe nga vendimi i KQZ-së është se aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike (Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Agron Duka, Shpëtim Idrizi apo Vangjel Dule) nuk do të marrin pjesë në garë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN