MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Leni Riefenstahl, fashizmi i revizionuar dhe Shqipëria e hallakatur

16.02.2022 - 12:03

Regjisorja gjermane Leni Riefenstahl do të mbahet mënd për shumë inovacione në botën e dokumentarit dhe filmit por do ishin pikërisht dy filma që do vulosnin fatin e saj. “Triumph des Willens” (“Triumfi i Vullnetit”) dhe “Olimpia” në vitet ’30 të shekullit të shkuar me gjetjet e saj teknike konsideroheshin asokohe si dy nga filmat propagandistikë më efektivë për nazizmin dhe teknikisht më inovativë. Ishte aq e lidhur me Hitlerin dhe Gebelsin, saqë historiografë të asaj kohe do shprehen se: vizionet e arrira të Riefenstahl ndihën deri në planet shkatërruese të nazizmit. Rabini Abraham Cooper i Qendrës “Simon Wiesenthal”, do të shprehej më hapur: “Pa Riefenstahlët e botës në vitet 1930, Shoah mund të mos kishte ndodhur”.

Ashtu si mund të merret me mënd, pas Luftës së Dytë Botërore asaj iu vunë prangat, por Riefenstahl ia hodhi paq pasi e klasifikuan thjesht “bashkudhëtare” apo “simpatizante naziste” dhe kështu i shpëtoi penaliteteve. Ironia ishte se ky personazh që njihte çdo skutë të Wehrmacht dhe i përuleshin me respekt e frikë mohoi në të gjallë…të ketë ditur gjë për Holokaustin!!!

“Olimpia”, filmi tjetër, që na përçoi shumë nga imazhet e sportistëve më të mëdhenj të kohës në Olimpiadën e Berlinit, u gjet se financohej fshehurazi nga nazistët. Riefenstahl futi idenë e lëvizjes së ngadaltë, përdori me sukses për xhirime kënde ekstremisht të larta ashtu si edhe të ulëta. Nuk është vendi t’i përmendim këtu, por realisht Riefenstahl vendosi një standard dhe falë saj kemi dhe legjendën amerikane Jesse Owens, që e nisi mitin e vet bash nga kjo olimpiadë. Po ndërsa, Riefenstahl mundi t’i shpëtojë të gjithë përballjeve dhe kaloi edhe shekullin në jetën e saj derisa mbylli sytë në vitet ‘2000 duke bërë të paditurën, burokrati nazist Eichmann nuk e shmangu dot dënimin, kur mundohej më kot të shpjegonte dhe të arsyetonte para një trupe gjykuese në Jeruzalem se ishte thjesht pjesë e një mekanizmi por jo urdhërues në shfarosjen e hebrenjve. Në shkurt 1937, Riefenstahl do i konfesonte një gazetari për Detroit News, “Për mua, Hitleri është njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Ai është me të vërtetë pa faj, kaq i thjeshtë dhe në të njëjtën kohë zotëron aq forcë mashkullore”. E njëjta gjë ndodhi edhe me “Kristallnacht”, ku ajo mbrojti hapur politikën e vendit të saj. Këto u harruan sepse gjërat harrohen kur janë kaq direkte.

Pse po i përmendim të gjithë këto fakte? Mbase duket si fenomen jo shumë afër nesh, por fashizmi është duke u revizionuar, kurse tek ne kriteri për të parë të kaluarën duket se ka mbetur thjesht te anti-komunizmi. Kaq e thellë është kjo saqë ideja e kolaboracionizmit me fashizmin, që këto ditë u ngrit si çështje për shkakun e protestës që ambasadori gjerman në Kosovë bëri për rehabilitimin e shtëpisë së Xhafer Devës, i barrikadoi sakaq shqiptarët në njërën anë apo tjetrën. Për fat të keq, kujtesa ndër ne është pothuaj e pandjeshme për gjëra kaq të ndjeshme. Duhet ta konsiderojmë si gjë të mirë, që falë paraardhësve tanë, holokausti nuk ka të bëjë me Shqipërinë dhe kjo sot duket e ezauruar si çështje. Ndërsa gjykimi për kleçka të tilla na hallakat frikshëm.

Pas viteve ’90 një pjesë e pinjollëve të fashistëve, njësoj të dënuar nga regjimi, apo e pjesës kundër PS-së, u munduan të reviziononin shumë konceptin në vetvete të kolaboracionizmit me pushtuesit nazifashistë me justifikimin se tek e fundit shumë syresh ishin antikomuniste. Dhe, kjo ishte arsyeja sepse ata pranuan të bënin gjëra që i kanalizonin me pushtuesit! Kjo kamerdare për të treguar drejtësinë e vendimit të shumë prej bashkëpunëtorëve ka rënë me kalimin e kohës por edhe me ndriçimin e fakteve. Veçse për ironi të kohëve, çështjen e Xhafer Devës në Kosovë e ngriti vetë ambasadori gjerman…por jo shqiptarët!!! Dhe, u harrua shtëpia, kurse të gjithë bateritë u mbajtën me figurën e Devës…

Është gjithnjë më e pranishme që dëmet e kolaboracionistëve po harrohen por më shumë se kaq, një grup njerëzish të lidhur apo jo me historinë janë gati të presin vetëm momentin e të mundohen të revizionojnë gjithçka. Qoftë dhe me anti-fashizmin. Apo duke përdorur deri edhe qasjen e SHBA-së, që pas L2B strehoi jo pak prej tyre duke i shfrytëzuar për interesat e saj. Është e vërtetë dhe nuk mund të mohohet sot se kolaboracionizmi u politizua shumë pas Luftës së Dytë Botërore. Vendet të ndryshme patën qasje jo të njëjta por fakti është se ngado dënimet për ta ishin të ashpra. Shqipëria rreshtohet tek vendet që zgjodhi rrugën më të ashpër “të dënimit të kolaboracionistëve, duke e shtrirë ndër vite ndjekjen dhe persekutimin edhe për familjarët e tyre, që nuk kishin asnjë përgjegjësi për veprimtarinë e prindërve apo të afërmve të tyre, të cilët gjatë luftës ishin vënë në shërbim të pushtuesit. Ky fenomen do të arrinte kulimin e tij me ashpërsimin e luftës së klasave, që do të pasonte në dhjetëvjeçarët në vijim”, shprehet studiuesi Maringlen Kasmi.

Këtu nuk është vendi për të folur për anatominë e luftës, por fakti është se vetë nacionalistët patën shumë mosmarrëveshje mes tyre sa i përket luftës dhe ishin vetë të paqartë. Rasti më i gjallë ishte ai i “Ballit Kombëtar” dhe përpjekja e grupit luftarak të tyre për ta luftuar Fashizmin, por që nuk u përkrah nga Mit’hat Frashëri dhe krerët e tjerë të partisë. Mënyra sesi ky formacion do të vihej pastaj në shërbim të forcave gjermane rezultoi fatal për ta, por sot kur flitet për Ballin futen në të njëjtin kut dhe njerëzit që e kërkuan luftën! E ky është paradoks. Sot, ngado në botë, dhe jo vetëm në Shqipëri e Kosovë ka një përpjekje jo për këta figura por për t’i rehabilituar kolaboracionistët. Justifikimi: ata ishin antikomunistë! Koha do të tregonte se shumë nga antikomunistët nuk ishin aq demokratë dhe atdhedashës, ashtu si shumë nga fabulat për antifashizmin që e barazojnë me komunizmin janë nul. Një statistikë e viteve të fundit tregonte një përqindje tepër të vogël të komunistëve te lëvizja antifashiste në Shqipëri.

Po a është vetëm ky fenomen i rehabilitimit të tyre dhe revizionimi i sikletshëm vetëm, tek ne? Jo aspak. Pak ditë më parë, një vlerësim i komunitetit të inteligjencës amerikane, marrë nga Yahoo News, arriti në përfundimin se qeveria ruse po ofron “mbështetje indirekte dhe pasive” për grupet neofashiste që veprojnë në SHBA dhe gjetkë, por nuk e akuzonte Kremlinin për ofrimin e ndihmës financiare ose materiale për grupet ekstremiste perëndimore. Raste të tilla sot gjen ngado dhe në shumë vende, kurse një studim më i thelluar mund të hidhte dritë dhe mbi Shqipërinë e hapësirat e tjera shqiptare ne Ballkan.

Duke u kthyer pas, statistikat flasin qartë për urrejtjen por edhe shfrime të egra në vitet e para pas L2B ndaj kolaboracionistëve në Norvegji, Belgjikë dhe Holandë. Kështu në qoftë se në Francë janë dënuar 12 vetë ndër 10 mijë banorë, në këto vende janë dënuar nga 40 deri në 64 vetë për 10 mijë banorë, citojmë në një shkrim studiuesin e historisë Shaqir Vuka.

Por sot fashizmin po e shohin përmes artit krejt ndryshe dhe shumë “interesant”. Karl Ove Knausgaard te “Lufta ime” do shprehej sa i përket simpatisë së Nacional-Socializmit në Evropëse: duke shikuar filmat e Riefenstahl të mitingut të Nurembergut…“përmbajtja eklipson shumë faktin, sepse emocionet janë më të forta se të gjitha analizat, dhe këtu emocionet lirohen. Kjo nuk është politikë, por diçka përtej. Dhe është diçka e mirë”. Më poshtë vijon arsyetimin e tij: “filozofia dhe politika bashkohen në një pikë jashtë gjuhës dhe përtej racionales, ku pushon çdo kompleksitet, megjithëse jo çdo thellësi”. Po ndërsa filmi i Riefenstahl komunikon kënaqësinë që njerëzit përjetuan, sipas tij, duke u çliruar nga kufizimet e racionalitetit dhe mendimit, duket se sot gjithnjë e më shumë po shfrytëzohet kjo kohë dhe këto mënyra për të revizionuar por edhe për të afruar një kohë, që historia e ka shmangur. Rastet si ajo e Xhafer Devës janë të pakët ende por zërat gjithnjë e më të shumë për të retushuar një kohë që e bën nul historinë. Në fakt ngritja e debatit në rrafshe të tjera mungon tek ne që ende nuk jemi shprehur si duhet për historinë. Ndërkohë që mësimet e historisë po i marrim në forma të ndryshme dhe revizionimi i çuditshëm që po i bëhet fashizmit duket se nuk është se nuk do prekë dhe Shqipërinë. Qëllimi i vërtetë është e mbetet aty: të harrojmë mynxyrat për të qenë të paditur për ato të rejat e hidhura që presin e kjo kohë t’i jep në çdo moment. Por, atëherë do të jetë fundi ashtu si gjithnjë mbetet i hallakatur në trajtimin e çështjeve kaq të ndjeshme mjedisi intelektual i vendit tonë… (Homo Albanicus)

U vra një javë më parë nga bashkëmoshatari!

Qytetarët protestojnë për vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani

Nga ish-gjyqtari tek zyrtari i lartë i Policisë! 18 të arrestuar!

Aksioni blic në Elbasan/ Zbardhen detaje nga operacioni i SPAK!

Operacioni ku u arrestuan dy ish-gjyqtarë

SPAK kontrolle në bizneset e Suel Çelës në Elbasan

Kush është personi që ndihmoi autorin të largohej

Vrasja e Martin Canit/ Dyshime se janë përdorur dy thika