MENU
klinika

“Nuk është kërcënim, por testim për vendet e NATO-s”

Letra e Lavrovit, Milo tregon qëndrimin që duhet të mbajë Shqipëria

04.02.2022 - 12:44

Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo e sheh letrën e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, drejtuar Shqipërisë për situatën në Ukrainë, si një testim të reagimit të vendeve anëtare të NATO-s dhe unitetin e Aleancës Atlantike.

Përmes gazetës “Panorama”, Milo kërkon që Shqipëria të tregohet e matur në përgjigjen e saj ndaj Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Sipas tij, kërkohet përgjigje e shpejtë në cilësinë kombëtare dhe jo të koordinuar me aleatë të tjerë në NATO-s.

Kjo përgjigje shprehet duhet të jetë në respekt të Kartës Finale të Helsinkit e vitit 1975 dhe e Kartës së Parisit e vitit 1990 që janë edhe dokumentet themelore të OSBE-së, si dhe të detyrimeve kontraktuale që rrjedhin nga qenia e Shqipërisë vend anëtar i NATO-s.

Z. Milo, si e konsideroni letrën e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov për Shqipërinë lidhur me tensionet në Ukrainë ku i kërkon vendit tonë që të mbajë qëndrim konkret për këtë çështje?

Letra e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, nuk i është drejtuar vetëm Shqipërisë, por të gjitha shteteve anëtare të NATO-s që janë njëkohësisht edhe shtete pjesëmarrëse në OSBE. Të gjithë këtyre vendeve u kërkohet që të japin një përgjigje sa më të shpejtë ndaj kësaj letre në cilësinë kombëtare dhe jo të koordinuar me aleatë të tjerë në NATO.

Përse i drejtohet Shqipërisë? A është një lloj kërcënimi për ne ndërkohë që jemi vend anëtar i NATO-s?

Letra në pikëpamjen time nuk është kërcënim, sepse nuk i drejtohet vetëm Shqipërisë. Është aksion diplomatik i Rusisë në përputhje me objektivat e saj në raport me rikonsiderimin e konceptit të sigurisë europiane dhe manifestim i traditave të shkollës diplomatike ruse. Rusia i ka shprehur këto pozicione vazhdimisht në forume të ndryshme ndërkombëtare, sidomos në OSBE. Letra në leximin tim synon të testojë reagimin e vendeve anëtare të NATO-s dhe unitetin e Aleancës Atlantike.

Çfarë qëndrimi duhet të mbajë diplomacia shqiptare në këtë rast?

Kam mendimin se qeveria shqiptare përmes Ministrisë për Europën dhe Politikën e Jashtme, si institucion i posaçëm i përpunimit të qëndrimeve të politikës së jashtme, do t’i përgjigjet letrës ruse me seriozitet e maturi. Përgjigjja, sipas opinionit tim, duhet të jetë në respekt të Kartës Finale të Helsinkit e vitit 1975 dhe e Kartës së Parisit e vitit 1990 që janë edhe dokumentet themelore të OSBE-së si dhe të detyrimeve kontraktuale që rrjedhin nga qenia e Shqipërisë vend anëtar i NATO-s.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lavrov: Na shprehni qartë, jeni apo jo të vendosur në...

Rusia letër vendeve perëndimore, edhe Shqipërisë!