MENU
klinika

Artiste, grua, nënë!

Liza Laska fisnike në skenë dhe ekran

06.02.2022 - 10:26

         Nëse arti skenik dhe kinematografia shqiptare kanë marrë trajtë prej një sërë emrash shkëlqyes të gjerdanit të yjeve, Liza Laska është prej tyre. Një aktore që mishëroi, falë interpretimit krejt origjinal, kaq të thjeshtë në vërtetësi, kaq të përkushtuar në realizim, rolet që iu besuan. Galeria e personazheve veshur prej aktores, numëron shumë suksese. Shumë admirues./Konica.al

Liza Laska lindi në Vlorë, më 6 shkurt 1926. Spikati herët për talentin. Viti 1946, shënoi fillimin e punës në Teatrin Popullor në Tiranë: më pas, shkoi në Korçë, si aktore themeluese e teatrit profesionist të këtij qyteti dhe me role kryesore, deri në  vitin 1962.

Nga ky vit, ajo u bë nga aktoret e para, që formuan trupën e teatrit profesionist të Vlorës, ku dha kontribut deri me doljen në pension, si aktore kryesore dhe si  e tillë, duke mbajtur peshën më të madhe të roleve aty, me mbi 60 të tilla.

Ka spikatur posaçërisht në rolet e nënave epike, që vuajnë dhe kalojnë halle dhe humbje të mëdha tragjike për bijtë e tyre rënë për liri; po kështu, gra të cilat, durojnë me stoicizëm pasojat e një jete nën dhunë, apo plot privime: gra të emancipuara, apo nëna dhe gjyshe të dashura (shfaqjet: ”Fundosja e skuadrës”, ”Sinjali i kuq”, ”Lidhur si fishekë gjerdani”, ”Fytyra e dytë”, ”Jatagani”, ”Familja e peshkatarit”, ”Luani i shtëpisë”, ”Rruga ‘Budi 723”, ”Nëntori i flamurit”, ”Sakrifica” etj.)

Veç roleve kryesore, Liza Laska ka luajtur mjeshtërisht edhe një sërë rolesh të dyta dhe episodike, duke gjurmuar tipa dhe karaktere jetësore me një origjinalitet të spikatur dhe për t’u admiruar. Loja e saj shquhej për vërtetësinë, realizmin e thellë me forcën dhe pështjellimin emocional në personazhet me dramacitet e tragjizëm. Po ashtu, loja aktoriale e saj herë-herë përshkohej edhe nga tonet lirike dhe ato poetike dhe këtu, artdashësit dallonin finesën, elegancën dhe brishtësinë e shpirtit artistik.

Artistja, karakterizohej nga zëri i ngrohtë, melodioz dhe i butë, me intonacionin dhe ngjyrat e të folmes labe.

Ndër vite, profili dhe rrugëtimi artistik i aktores protagoniste Liza Laska, pasurohet duke u dhënë jetë e gjallëri, duke mishëruar personazhe origjinale me një mjeshtëri të rrallë, si ato në dramat: ”Fundosja e skuadrës”, ”Sinjali i kuq”, ”Lidhur si fishekë gjerdani”, ”Fytyra e dytë”, ”Jatagani”, ”Familja e peshkatarit”, komedinë ”Luani i shtëpisë”, ”Rruga Budi 723”, ”Nëntori i flamurit”, ”Κristali Blu”, ”Sakrifica”, ku nuk i mungoi respekti dhe mirënjohja e artdashësve të shumtë të saj.

Me thjeshtësinë dhe modestinë që e dallonte, Liza Laska, duke demonstruar në skenë gjithë nivelin e lartë artistike, nuk nënvlerësonte asnjë rol dytësor. Aktorja e frymëzuar, e apsionuar e largpamëse, ravijëzoi artistikisht një gamë rolesh të dyta, apo episodike, që janë vlerësuar për forcën interpretative, impaktin tek artdashësit dhe origjinalitetin e spikatur të lojës aktoriale.

Kësisoj, kjo aktore shumëprofilëshe i përket plejadës së brezit të aktorëve të suksesshëm të pasluftës, që me vullnet e përkushtim, me vendosmëri dhe kërkesa të larta ndaj vetes në skenat e teatrit, si protagoniste realizoi mbi 100 role të arrira, të papërsëritshme.

Në vitin 1971, aktorja Liza Laska debuton në kinematografi, duke interpretuar në filmin “Malet me blerim mbuluar” dhe në vijimësi, për të pasuar mandej angazhimin e saj në një sërë fimash të suksesshëm, si në filmin “Brazdat”, “Shtigje lufte” (plaka e Rremës), “Lulëkuqet mbi mure” (shërbyese e Strehës Vorfnore), “Dimri i fundit”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, (1989) “Gurët e shtëpisë sime” (1985) “Vendimi”, (1984), “Dritat e qytezës”, (1983), “Në prag të lirisë”, (1981), “Plumba perandorit”, (1980), “Liri a vdekje”, (1979), “Gunat mbi tela”, (1977), “Dhe vjen një ditë”, “Familja ime”, “Vdekja e burrit”, 1991 e së fundi, në filmin “Një ditë e mrekullueshme”, prodhim i vitit 2002 etj. Si një aktore e mrekullueshme, emblemë e artit skenik shqiptar, Liza Laska realizoi 22 role në kinematografi, që mishëronin talentin e saj, realizmin e përkryer dhe një interpretim të veçantë të aktores.

Një artiste e vërtetë që magjepste audiencën dhe artdashësit e shumtë që e ndiqnin me kureshtje dhe interesim. Artistja jo vetëm me talentin, por e përpjekjeve të pareshtura pas çdo suksesi e një pune këmbëngulëse deri në perfeksion, me natyrshmërinë dhe intuitën artistike që e mbante larg performancës standarde.

Aktorja u nda nga jeta, më 31 gusht 2014.

Gjatë viteve të fundit, Liza Laska ”Artiste e Merituar” ka hedhur në letër kujtimet, për t’ua përcjellë brezave që vijnë. Në një intervistë për medien, ajo është shprehur se ”kënaqësia më e madhe e aktorit është respekti dhe dashuria e publikut, ai nuk barazohet me asgjë. Kur eci rrugës, më thonë: O labja jonë, o nëna e Vlorës”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ikona e batutës

Pandi Raidhi, ky babaxhan

Për të Enver Hoxha shkruajti gjatë në librat e tij

Historia e panjohur e ‘Veronikut’ te filmi ‘Vendimi’

''Kam nevojë, të flas personalisht me ju''

Kush e tregoi Qemal Stafën… letra për Enverin!


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit