MENU
klinika

Spektakël para 70 mijë shikuesve

Los Angeles Rams triumfon në finalen e Super Bowl

14.02.2022 - 12:22

Skuadra e Los Angeles Rams fitoi finalen e madhe të Super Bowl, pas triumfit 23-20 ndaj Cincinnati Bengals, ndeshje e luajtur në “SoFi Stadium”, shtëpia e Rams.

Ky është suksesi i dytë në histori për ekipin kalifornian, që triumfon sërish në Super Bowl pas 22 vitesh. Një ndeshje e hapur deri në sekondën e fundit, ku rezultati u përmbys dy herë dhe fitorja e skuadrës së Rams u vendos 1’25” nga fundi, falë një “touchdown”.

Finalja nr.56 e Super Bowl ishte një spektakël i vërtetë për 70 mijë shikuesit, që ndoqën një ndeshje të rivalizuar deri në fund. Skuadra e Rams e nis më mirë ndeshjen, ku falë Beckham e Kupp arrijnë të shkëputen 13-3.

Nga ky moment në fushë dominojnë Bengals, që arrijnë të rikuperojnë, fillimisht 13-10 e më pas përmbysin 17-13 falë Higgins e McPhearson. Për Rams dëmtohet Beckham, por ai që udhëheq skuadrën drejt një përmbysje të paimagjinueshme është Kupp, që realizon pikët e fitores për ekipin nga Los Angeles. Skuadra e Bengals tenton të rikuperojë, por pa sukses, duke nisur kështu festa e Rams.