Njerëzit që ndryshojnë rrjedhën e historisë, nuk është e thënë të jenë vetëm të famshëm. As politikanë. As yje kinemaje. Aq më pak, shkencëtarë, në këtë rast. Dhe fati e deshi që një person i vetëm, krejt i zakonshëm, të ndryshojë rrjedhën e historisë së popullit të vet. Me ndarjen nga jeta të 93-vjeçares Cristina Caderon, bota do të ketë një gjuhë më pak, gjuhë që, prej 6 mijë vjetësh ishte e folme në Amerikën Latine, nga Kili në Argjentinë.
Bëhet fjalë për gjuhën jamane (jaman), gjuha e popullit jagan (jagan), nga më të vjetrit banorë në ekstremin e atij kontinenti, thuajse përballë me bardhësinë e Antarktidës.
Ndonëse ende ka disa dhjetëra nga ky popull i lashtë, po aq sa civilizimet e humbura të Majave dhe Astekëve, asnjë prej tyre nuk është në gjendje të flasë rrjedhshëm jamanishten, veçse disa fjalë.
Në kohën moderne, kishin mbetur vetëm Cristina dhe e motra, e cila vdiq në vitin 2003.
Por gruaja e zgjuar, që jetonte në qytetin Villa Ukika, duke shitur çorapet që i thurte vetë, prej disa vitesh kishte ndërmarrë një sipërmarrje për të cilën brezat e ardhshme jagan, nëse mbijetojnë, duhet t’i jenë mirënjohës përgjithmonë.
Edhe me ndihmën e të bijës, Lidia, – deputete kiliane që ndër të tjera, po merr pjesë edhe në draftin e kushtetutës së re të vendit – prej vitesh, e moshuara kishte nisur punën për një lloj fjalori të vogël me termat kryesore të gjuhës jamane, përkthyer në spanjisht. Një ndihmesë e madhe kjo dhe më shumë shpresa, për mbijetesën e një gjuhë të lashtë, po aq edhe misterioze, origjina e së cilës nuk njihet dhe nuk ka ngjashmëri të dukshme me gjuhët e tjera indigjene përreth.