38-vjeçarja Blerina Rrapushi luftoi me forcë deri në fund, por e vetme, nuk mundi ta mposhte sëmundjen e elefantizmit nga e cila vuante që prej vitit 2016. E reja ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00, në banesën e saj.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në shtëpinë e saj dhe do të bëjnë të mundur nxjerrjen nga banesa përmes shembjes së murit për shkak të përmasave.
Blerina preku zemrat e shumë shqiptarëve pasi u transmetua në Report TV, ndërsa me lot në sy kërkoi ndihmë, e megjithatë ajo që iu ofrua ishte shumë pak.
“Tani po vdes, po marr kalbësirë. Kam nevojë për shërim. Jam vajzë 38-vjeçare. Shikoj vdekjen me sy. Kam katër vjet që lëngoj. Doktorët e Vlorës, kanë thënë që ka doktorë po s’ka mjete për këto gjëra. Shërim ka, bëhet jashtë shtetit. Vini dorën në zemër për një motër shqiptare. Dikur kam ndihmuar edhe unë njerëz nëpër rrugë”, shprehej ajo me lot në sy.
Por gjithë ndihma që 38-vjeçarja mori ishte vetëm kujdes shëndetësor, ndërsa thirrjes për ta dërguar për mjekim jashtë, si e vetmja mundësi që ajo të mbijetonte, autoritetet nuk iu përgjigjën.
Si pasojë e sëmundjes, Blerina peshonte 450 kg dhe prej 4 vitesh nuk kishte lëvizur nga shtëpia. Report Tv u interesua pranë institucioneve shëndetësore në Vlorë, por megjithatë fatkeqësisht asgjë nuk u bë për Blerinën, e cila dha frymën e fundit mbrëmjen e djeshme, duke i lënë familjarëve brengën se me pak ndihmë ajo do të kishte jetuar, e madje do të mund të bënte edhe një jetë normale.