Në 6 Mars, në ditën e votimit për zgjedhjet e pjesshme lokale, vota e qytetarëve do të ndëshkojë edhe kësaj here, ata që shkatërruan themelin e demokracisë, opozitën. Në 6 Mars, vota e qytetarëve, nuk do të bëjë asnjë përjashtim, si nga Foltorja ashtu edhe nga ajo që quhet “PD zyrtare”. Ata janë bashkfajtorë, ata janë bashkashkatërrues, ata janë groposësit dhe çakenjtë, që po shuajnë opozitën në këtë vend, për interesa thjesht personale.Gjithçka ka ndodhur deri sot, është vepër e atyre që çirren sot se “unë jam parti, unë jam kryetari, unë jam opozita”, por që në fakt kanë shuar çdo shpresë të atyre qindra e mijëra demokratëve, që besuan dhe ndoshta edhe vazhdojnë të besojnë se, ka akoma “dritë në fund të tunelit”. E ndërsa njëri kopjon stemën e Berluskonit dhe shpall kandidatët dhe koalicionin, tjetri çdo ditë del me deklarata shtypi dhe thellon ndasitë mes anëtarësisë, me barcaleta dhe definicione të denja, vetëm për drejtues shoqatash. Askush nuk po e kupton dhe askush nuk po merakoset, se opozita ka humbur dhe do të humbasë çdo palë zgjedhje, siç është katandisur. Ajo është kthyer në leckë, ku çdo ditë i “shqyhet” nga një copë, derisa ta shuajnë fare. Në rastin më të mirë, Partia Demokratike ndahet.Në rastin më të keq, shpërbëhet dhe i bashkohet si “aleate” Partisë Socialiste.
Edhe kjo nuk shihet si ndonjë e keqe e madhe, përkundrazi, qartëson hamendësitë, dhe qetëson ata që deri dje kanë besuar tek Basha. Madje bashkimi qoftë edhe formal me Partinë Socialiste, do ta shpëtonte nga sikleti kryetarin zyrtar të asaj partie, dhe do ti hapte rrugën krijimit të një force të re që do të përfaqësonte opozitën. Por deri atëhere, Partia Demokratike dhe Foltorja, kanë përpara 6 Marsin, ditën kur vota e shqiptarëve në 6 bashki, do ti ndëshkojë ata për ti dhënë mësimin e duhur dyshes hipokrite Basha-Berisha.Revolucionit “paqësor”të Berishës, kryetari de jure i Partisë Demokratike Lulzim Basha, po i përgjigjet me përpjekje dëshpëruese.Një shprehje e urtë thotë “kur zihen elefantët, shkelet bari”. Kjo ka ndodhur me demokratët e thjeshtë në bazën e asaj partie, tek shohin me mëdyshje fundin e një beteje që sapo ka nisur, dhe nuk ka mbarim. Në këtë fushatë elektorale, shqiptarët do të dëgjojnë të pathënat e derisotme mes Bashës dhe Berishës.
Ajo ç’ka kemi dëgjuar deri tani për 21 Janarin apo dhe Gërdecin, nuk janë asgjë, para atyre që ata do ti thonë njëri-tjetrit deri në 6 Mars. Kjo pasi, ai është afati i fundit për të treguar de facto, nga shkon realisht vota e demokratëve të bazës.Një shumicë votash për Berishën dhe koalicionin e tij,do të ishte diskreditim përfundimtar për Bashën, ndërsa e kundërta do ti jepte këtij të fundit, një fitore të re, dhe ndoshta përfundimtare mbi ish-liderin historik, duke shuar çdo pretendim të tij se “ne jemi shumicë, dhe na takon partia”.