MENU
klinika

Rusët... të surprizuar!

Në Moskë, Nexhmija kërkoi statujën e Stalinit

10.02.2022 - 12:58

         Gjatë qëndrimit në Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha dhe bashkëshortja Nexhmije Hoxha, u kërkojnë sovjetikëve një statujë të Stalinit, për ta vendosur në Tiranë.

Statuja duhet të realizohej nga artistë sovjetikë, ndërkohë që në Shqipëri duhet të ishte gati e vendosur para datës 1 maj 1950. Gjithçka shkon mirë e bukur deri në momentin kur organizatorët sovjetikë të kësaj çështjeje mësojnë se monumenti i Stalinit duhet të blihej nga shqiptarët në shumën 140 mijë rubla. Sipas të dhënave të dokumenteve autentike, që janë përfshirë në vëllimin “Faktori Sovjetik në Evropën Lindore 1944-1953”, sovjetikët ndihen keq kur mësojnë se skulptura duhet të blihet nga miqtë shqiptarë dhe vendosin të mos i komunikonin asgjë Nexhmije Hoxhës, përsa kohë ende nuk kishin përfunduar tratativat e dhënies së skulpturës.

Nuk dihet se si kanë shkuar më tej ngjarjet deri në ardhjen e skulpturës së Stalinit në bronz, por ajo që dihet që skulptura e Stalinit, e bërë nga artisti i njohur sovjetik, Nikolai Tomski, fillimisht u vendos në shesh, aty ku tashmë gjendet monumenti i Skënderbeut dhe më pas, deri në heqjen përfundimtare, më 1991, para Galerisë së Arteve.

NEXHMIJA KËRKON STATUJËN E STALINIT

Nr: 98 Nga raporti i sekretarit të dytë të misionit të Bashkimit Sovjetik në Shqipëri, B. S. Sotin. Procesverbali i bisedës me Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së lidhjes kulturore shqiptaro-sovjetike, N. Nathanaili, për bashkëpunimin për marrjen e një pjese teatrale sovjetike për vendosjen në Teatrin Kombëtar, projektimin dhe ndërtimin e monumentit të I.V.

Stalinit në Tiranë dhe të tjera(1). Q. Tiranë 13 mars 1950.
SEKRET 1.
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Lidhjes Kulturore shqiptaro-sovjetike, N. Nathanaili më kërkoi ta ndihmoja të merrja përmes VOKS (Shoqërisë së Bashkuar të Lidhjeve Kulturore) pjesën “Zëri i Amerikës”, e cila është duke u shfaqur ak
tualisht në skenat e teatrove të Moskës.
Ai më njoftoi se Teatri Popullor i Shqipërisë tashmë e ka programuar vënien e kësaj pjese në planin e tij dhe se duhet të nisë punën me të në muajin prill(2).

2. Nathanaili më njoftoi se Nexhmije Hoxha, gjatë kohës së qëndrimit në Moskë ka biseduar me shokun Jakovlev V.G. për planet e Qeverisë shqiptare për vendosjen në Tiranë të një skulpture monumentale të shokut Stalin dhe kërkoi që të ndihmoheshin shqiptarët për projektimin dhe ndërtimin e kësaj skulpture. Duke iu referuar kësaj bisede, Nathanaili më kërkoi që përmes VOKS-it të sqaroja të dhënat orientuese për këtë skulpturë në veçanti për formën dhe përmasat e vendosjes, sepse shqiptarët janë duke u bërë gati të fillojnë menjëherë, me qëllim që ndërtimi i të gjithë skulpturës të përfundojë më 1 maj(3).

3. Nathanaili më njoftoi se në Shqipëri janë duke themeluar një shoqëri të ngjashme me tonën “DOSARM” (Shoqëria Vullnetare në Ndihmë të Ushtrisë). Në lidhje me këtë shqiptarët dëshironin të merrnin nga Bashkimi Sovjetik të dhëna për themelet e organizimit të kësaj shoqërie (4). Sekretari i dytë i misionit të BS në Shqipëri B. Sotin GA RF. F. 5283. Op. 22. D.227. L. 25.

ORIGJINAL SHPJEGIMET
(1) Dërguar A. Denisovit (VOKS), në Ministrinë e Punëve të Jashtme të BS.

Në dokument kishte shënimet e mëposhtme: “sh. Jakovlev. 6.IV. A.D(enisov)”; “shoku Ruzskoi. 8.4. Jakovlev”; “Pjesa “Zëri i Amerikës” u dërgua. Çështja e materialeve për DOSARM-in do të vendoset në ministrinë e Forcave të Armatosura. Ruzskaja”, dhe gjithashtu nënshkrimi me dokumentet me të cilat u njoh më 72. 03.1950 D. Çuvahini.

(2) Në anë të dokumentit pranë kësaj pike ka një shënim: “Duhet të merret dhe të dërgohet sa më shpejt. J(akovlev)”. (3) Në lidhje me pikën 2 shënimit sqarohej: “8.4. kërkuar nga shoku Grigorjan J(akovlev)”. Sjellim tekstin e letrës së Jakovlevit.

“KQ i PKB (b). Shokut Grigorjan V.G. Ambasada e BS në Shqipëri njofton se shoqja Nexhmije Hoxha lutet të sqarohen në VOKS të dhënat orientuese (përmasa, pesha, etj) të skulpturës që do paraqesë Stalinin, të cilën shokët shqiptarë e presin nga Bashkimi Sovjetik dhe të cilën ata kanë qëllim ta vendosin në Tiranë në 1 maj të këtij viti.

Këto të dhëna bazë janë të nevojshme për shqiptarët për vendosjen e bazamentit. Siç u sqarua, shoku Vebedjev P. I, të cilit i ishte ngarkuar të realizonte kërkesën e Enver Hoxhës për prodhimin në BS të skulpturës, mori udhëzim nga Qeveria të organizojë dhënien e skulpturës që paraqet Stalinin (e skulptorit Tomski, në bronz) jo si dhuratë, por duke e blerë.

Vlera e skulpturës është rreth 140 mijë rubla. Ky operacion ende nuk është realizuar dhe me sa duket shqiptarët ende nuk dinë asgjë për kushtet sipas të cilave ata mund të marrin skulpturën. Kërkoj udhëzime nëse duhet t’ia jap shoqes Nexhmije Hoxha të dhënat që ka kërkuar, duke pasur parasysh se në përgjithësi ende nuk është zgjidhur çështja e dhënies së skulpturës.

Zv/Kryetari i drejtimit të VOKS,(Jakovlev) (GA RF. F. 5283. Op. 22. D. 227. L. 27). (4) Në anë të dokumentit, pranë pikës
3 – shënimi: “Për këtë duhet të pyesim. J(akovlev)”./Panorama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dëshmia e rrallë e djalit të deputetit të vrarë

“Enveri s’ka gisht në eliminimin e babait, pasi Nexhmija…”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit