Kandidatja e PS-së në Bashkinë e Durrësit, Emirjana Sako, ka gjetur mbështetjen nga ish-kryebashkiaku i qytetit bregdetar, Vangjush Dako për garën elektorale të 6 marsit. Ishkryebashkiaku socialist vijon të udhëheqë fushatën e Emirjana Sakos, ku ditën e djeshme, zhvilloi një takim me strukturat e PS-së në Durrës.
Pavarësisht se është shpallur “non grata” nga SHBA-ja dhe akuzave të shumta nga opozita, ai vijon të zhvillojë takime me përfaqësuesit e socialistëve në Durrës. Edhe disa ditë më parë, Vangjush Dako drejtonte një takim tjetër elektoral në Njësinë Administrative nr.6 në Durrës me datën 6 shkurt. Ish-kryebashkiaku i Durrësit duket i pazëvendësueshëm për socialistët, pavarësisht “damkës” që mori kur u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Rama e justifikoi moskandidimin e Dakos si një zgjedhje personale të ish-kryebashkiakut. I pyetur për marrëdhënien e tij me Dakon, pas shpalljes “non grata” të kryebashkiakut, Rama u shpreh: “Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im” është shprehur Rama duke shtuar: “Nuk ma përcakton DASH-i mua kë kam mik dhe kë nuk kam mik. Mua më përcakton morali im dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër do të jetë miku im, por me Vangjush Dakon nuk kam bërë kurrë, as më ka kërkuar as i kam kërkuar, as kemi bashkëpunuar dhe as i kemi kërkuar bashkëpunim të tjerëve, asnjë shkelje të ligjit të RSH-së”.
Po dje, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, prezantoi kandidaten e për kryetare të Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako. “Unë e di që fitorja nuk kërcënohet nga kundërshtarët tanë, në luftë janë dy humbës, njëri është humbës kronik, por që është ‘grata’ dhe tjetri që është i papëlqyeshëm nga faktori ndërkombëtar, nga SHBA-ja, por njëkohësisht është një njeri që ju e dini shumë mirë historinë e tij politike, thjesht ata luftojnë për mbijetesën e tyre politike. Po pse do të përdoren qytetarët durrsakë apo të bashkive të tjera se kush nga ata do të mbijetojë politikisht? Jo se kanë durrsakët këtë hall, durrsakët duan zhvillimin, se janë qytetarë nga natyra dhe duan zhvillimin, nuk janë tifozë politikë, nuk e fiton dot kollaj zemrën e Durrësit, përveçse me vepra konkrete dhe me sjellje konkrete”, u shpreh Gjiknuri.