MENU
klinika

"Doja një vend të qetë që…"

Nuk e pranoi dot refuzimin, 23-vjeçari rrëmben vajzën

18.02.2022 - 14:40

Një 23-vjeçar nga Shijaku ka marrë me forcë në makinë një vajzë pasi e përndiqte vazhdimisht. I riu u arrestua në flagrancë nga Policia. Klajdi Barzezi, banues në Shijak, nuk e duroi dot refuzimin e vajzës dhe vendosi ta rrëmbente pa dëshirën e saj.

Sipas Policisë, 23-vjecari mori me forcë në automjet vajzën me iniciale M.S., banuese në Shijak, pasi më herët e kishte përndjekur për një periudhë të gjatë.

RRËMBIMI

Të mërkurën, ai kishte ndjekur ritualin e përditshëm duke e ruajtur vajzën dhe në momentin që ajo ka refuzuar sërish të shoqërohej me të, vendosi ta fuste më forcë në makinën e tij. Kjo skenë është parë edhe nga persona të tjerë, të cilët lajmëruan Policinë për këtë incident ku ishin gjendur dëshmitarë.

Ata i dhanë të dhënat e mjetit, targën, tipin dhe ngjyrën Policisë dhe një patrullë u vu menjëherë në ndjekje. Në një moment, Policia arriti ta pikaste mjetin e 23-vjecarit dhe e urdhëroi të hapte krahun pasi kishte një denoncim për rrëmbim. Brenda ndodhej edhe vajza. Djali ka dalë nga makina dhe ka tentuar që të sqaronte efektivat e Policisë, duke u justifikuar me faktin se nuk e kishte rrëmbyer vajzën dhe se nuk e kishte futur me forcë në makinë.

DËSHMITË

Pasi u ndalua nga Policia, 23-vjeçari ka tentuar të justifikohet, duke theksuar se nuk synonte ta rrëmbente, por thjesht e donte dhe kishte dëshirë të fliste me të në një vend të qetë. “Është keqkuptim. Unë thjesht doja të flisja me të në një vend të qetë pasi kam simpati për të. Nuk ushtrova dhunë”, u ka thënë 23-vjecari efektivave të patrullës.

Por, vajza nuk ka mbajtur të njëjtën linjë duke thënë se 23-vjecari e kishte futur me forcë dhe padëshirën e saj në makinë.

“Më futi me forcë në makinë. U tmerrova. Ku s’më shkonte mendja, isha shumë e frikësuar. Dua të bëj denoncim”, u tha vajza efektivave të Policisë, duke u kërkuar të denonconte 23-vjecarin. Ajo ka thënë gjithashtu se ndihej e përndjekur prej një kohe të gjatë dhe e bezdisur nga djali, të cilin e kishte refuzuar dhe nuk dëshironte të vazhdonte një lidhje me të.

ARRESTIMI

Pas denoncimit të vajzës, Policia i vuri pranga të riut, mbi të cilin rëndojnë akuzat: “Përndjekja” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.

“Nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. B., 23 vjeç, banues në Shijak, për veprat penale ‘Përndjekja’ dhe ‘Heqja e paligjshme e lirisë’. Arrestimi i tij u bë pasi ka bërë kallëzim shtetasja M. S., banuese në Shijak, se shtetasi K. B., i cili e përndiqte në mënyrë të vazhdueshme, e ka marrë me forcë në automjetin e tij, pa dëshirën e saj”, deklaroi Policia duke shtuar se materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


E mori me forcë në automjet

Tentoi të rrëmbejë një vajzë në Durrës