Zyra e Presidentes ka dhënë detaje për takimin mes presidentes Vjosa Osmani dhe të dërguarit të posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë dhe se ky proces duhet që t’i trajtojë palët në mënyrë të barabartë.
Ajo poashtu i është ankuar emisarit britanik se Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara.
“Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke. Sipas Presidentes Osmani, dialogu duhet t`i trajtoj palët në mënyrë të barabartë. Ajo ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e rajonit”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, të cilin e ka përgëzuar për detyrën dhe për rolin aktiv të shtetit të tij në rajonin e Ballkanit.
Në takim me z.Peach, Presidentja Osmani tha se Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët kryesor, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Sipas saj, sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët e Kosovës.
Presidentja Osmani, ka përgëzuar edhe Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sipas saj po bën punë të çmuar në mbështetjen e projekteve, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe viktimat e dhunës seksuale.
Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke.
Sipas Presidentes Osmani, dialogu duhet t`i trajtoj palët në mënyrë të barabartë. Ajo ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e rajonit.
Presidentja Osmani në takim me emisarin Peach ka theksuar se shteti i Kosovës është i përkushtuar për ta rritur bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, sidomos në çështjet ekonomike dhe ato të mbrojtjes./Express