Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ) mohoi pretendimet ruse për “rekrutim mercenarësh në Kosovë, Shqipëri e Bosnje” për t’u përfshirë në luftimet në Ukrainë.
Mediat ruse cituan gjatë javës ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, të ketë thënë se autoritetet ruse po punojnë për të verifikuar informacionet për “mercenarët” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja që shkojnë në Ukrainë.
Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se Rusia përmes këtyre deklaratave po bën ‘lojë me zjarr’.
Ai u shpreh se qëllimi kryesor i shtetit rus nuk është lufta, por shtrirja e ndikimit në Evropë, më saktësisht edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Loja me zjarr, e cila po luhet nga Rusia, për mendimin tim, për qëllim ka shumë me shumë se sa një invazion në Ukrainë. Rusia, po bën përpjekje në radhë të parë, ta përçaj Perëndimin, në mënyrë që ta ketë me të lehtë shtrirjen e ndikimit në shumë regjione, e njëri ndër ta edhe regjioni i Ballkanit Perëndimor. Rusia e di që me një konflikt të armatosur, nuk ka shanse të fitojë kundrejt NATO-s, prandaj nuk besoj që synimi i vërtetë i saj është lufta”, deklaroi analisti.
Sipas Duhanajt, Rusia po tenton të ndërpresë zgjerimin e NATO-s në, prandaj po kërcënon dhe po bën deklarata tendencioze vetëm që ta nxjerrë SHBA-në keq para partnerëve të saj.
“Synimi rus është ndërprerja e zgjerimit të NATO-s, së pari në Ukrainë, e pastaj edhe në vende tjera. Duke përdorur blofet e njëpasnjëshme për t’i komprometuar shërbimet sekrete amerikane, në mënyrë që SHBA-në ta nxjerrë keq para partnerëve të NATO-s, e kështu edhe ta ketë me të lehtë përçarjen në politikën perëndimore. Sigurisht që brenda këtij konteksti bën pjesë edhe Kosova, ku Rusia ka interesa të rikthej ndikimin e saj”, theksoi ai.
Më tej, sa i përket ‘mercenarëve shqiptarë’ në Ukrainë, analisti tha se përmes kësaj shteti rus po tenton t’i paraqet shqiptarët si luftënxitës.
“Deklaratat e tilla për vullnetar nga Kosova, për mendimin tim janë në shërbim të kësaj agjende, në mënyrë që përmes kësaj ta paraqes Kosovën si problem për paqen dhe shqiptarët si luftënxitës.
Nuk duhet harruar se Rusia përmes Serbisë dhe segmenteve pan islamike, ka ndikim të madh edhe në rajonin e Ballkanit dhe rreziku që të iniciojnë eksese nuk është i vogël”, nënvizoi Duhanaj.
Krejt në fund, ai kërkoi nga Kosova dhe Shqipëria të mos i japin hapësirë propagandave serbo-ruse.
Ndërsa, analisti theksoi se shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh Ukrainës, që të sakrifikohen për ta.
“Në ketë kontekst, mendoj që Kosova, Shqipëria por edhe gjithë shqiptarët në rajon, të jenë sy çelë dhe të mos i japin hapësirë propagandës dhe ndikimeve pan sllaviste.
Në qoftë se dikush e ka ndarë mendjen të shkoj në Ukrainë, le ta bëjë si çështje private të tij, e mos t’i jap konotacion kombëtar. Ne nuk i kemi asnjë borxh Ukrainës që të sakrifikohemi për ta, prandaj mos të identifikohemi me ketë konflikt, çfarëdo qoftë ai”, përmbylli Leon Duhanaj